Maqedoni
Rasti “Spiuni”, shtyhet seanca, PSP ende shqyrton lëndën
13.05.2016 14:31
Është shtyrë edhe këtë herë seanca e radhës për rastin “Spiuni”...

Në sallë mungoi prokurori i ekipit të Janevës, pasi tani PSP e ka marrë këtë lëndë nën kompetencë të saj.
Gjyqtarja, Liljana Ivanovska, bëri të ditur se më 11 maj ka pranuar një letër njoftimi nga Prokuroria Speciale Publike, ku thuhet se nuk do të jenë të pranishëm në seancë, për shkak se lënda është ende në fazën e shqyrtimit.
Prandaj, gjyqi kërkoi nga burgjet në Shkup dhe Kumanovë që të mos i dërgojnë të akuzuarit, të cilët ende janë në paraburgim, ose vuajnë dënimin, për këtë lëndë ose për ndonjë tjetër. Gjykata caktoi dy termine të reja për në qershor.
Rasti “Spiuni” është anuluar disa herë tashmë që nga ngritja e padive në korrik të vitit të kaluar.
Lënda tashmë është në duart e Prokurorisë Speciale, e cila duhet të vendosë nëse lënda do të kthehet në gjykim të serishëm dhe nëse ka dëshmi të reja që burojnë nga bisedat e përgjuara. Për rastin “Spiuni”, 18 persona u dënuan me 70 vite burg.
Dënim më të lartë prej 15 vjet heqje lirie mori Marjan Efremov, nën akuzën se ka spiunuar për shërbimet e huaja sekrete.
Sipas akuzës, Efremov, së bashku me tre të akuzuar të tjerë, kishin krijuar grup për spiunim, duke iu ofruar sekrete shtetërore shërbimeve hungareze dhe greke.
