Maqedoni
Ahmeti: rikthimi i parlamentit zgjidh krizën; Thaçi: duhet marrëveshje e re, “Përzhina” dështoi
13.05.2016 15:02
Ndërmjetësi i ri, Johanes Hajndëll, ditën e dytë në Maqedoni e startoi me takime të ndara me liderët e LSDM-së, BDI-së dhe PDSh-së...

Për liderin e LSDM-së, asgjë nuk ka ndryshuar me ardhjen e Hajndëllit dhe bisedimet janë vetëm në fillim.
“Kjo është vetë fillim i bisedimeve, nuk ka asgjë konkrete.”- deklaroi lideri i LSDM-së, Zoran Zaev.
Lideri i BDI-së ka shpjeguar edhe para Hajndëllit idenë e integristëve se si të tejkalohet ngërçi momental i krizës dhe të rikthehet parlamenti.
“Shfaqëm mendimet tona se si mund të rikthehet në funksion Kuvendi i RM-së, ia bëmë me dije ambasadorit se ne i kemi marrë të gjitha masat, duke i vënë në funksion ekspertët më të mirë vendor dhe ndërkombëtar, se cilat rrugë mund të gjinden, që ky moment mund të ndodh, që parlamenti të vendoset në funksion. Dhe pasi të rikthehet parlamenti, hapen shumë çështje për zgjidhje.”- tha lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.
Ahmeti thotë se BDI po konsultohet me ekspertë vendas e ndërkombëtarë për të gjetur rrugën ligjore dhe për të rikthyer funksionimin e Parlamentit.
Por, ai ripërsërit se duhet që të gjitha palët të angazhohen për zgjidhjen e krizës.
“Ne kemi qenë transparentë, kemi kontaktuar me të gjitha palët dhe kemi kërkuar të solidarizohemi të gjitha palët mbi zgjidhjen e krizës. A do t’a dërgoni direkt sot iniciativën? Unë mendoj se edhe një qytetar i Maqedonisë ka të drejtë të ngre iniciativë.”- theksoi lideri i BDI-së, Ali Ahmeti.
Lideri i PDSh-së, Menduh Thaçi, edhe një herë ka ripërsëritur se Marrëveshja e Përzhinës ka dështuar. Ai pret që gjërat të bëhen më të qarta javën që vjen.
“Marrëveshja e Përzhinës ka dështuar, kjo është definitive. Mua shumë më pengon kur thuhet marrëveshja politike mes katër partive ka dështuar, marrëveshja është e katër partive politike, por përgjegjësinë për dështimin e marrin tre partitë që janë pjesë e Qeverisë. Unë mendoj se duhet marrëveshje e re dhe duhet çështjet t’i kemi më të qarta dhe afatet t’i respektojnë të gjithë së bashku.”- u shpreh lideri i PDSh-së, Menduh Thaçi.
Duke komentuar iniciativën e BDI-së për ripërbërjen e Parlamentit, Thaçi thotë se paraprakisht liderët duhet të dakordohen për një paketë të re, e jo për propozime individuale.
Sipas Thaçit, nëse BDI e mendon seriozisht të zgjidhë ngërçin, mund t’a bëjë duke e braktisur Qeverinë.
“Iniciativa e zotit Ahmet është për të fituar aurën e një politikani të kujdesshëm, mendoj se nuk është korrekte kështu të veprohet. Aj t’ju tregoj vetëm një kërkesë që e ka PDSh-ja në procesin negociues. Pika e parë është që Parlamenti të funksionojë me dy dhoma dhe aty shqiptarët të fitojnë të drejtën e vetos në çdo vendim.”- theksoi lideri i PDSh-së, Menduh Thaçi.
Gjatë ditës së djeshme, i dërguari special i Gjermanisë, Hajndëll, realizoi takim me liderin e VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevskin.
Handëll gjatë takimeve të ndara me liderët e partive më të mëdha politike në vend nuk ofroi asnjë zgjidhje për zbutjen e krizës politike.
SANIJE DURAKU
