Maqedoni
Universiteti i Tetovës, konferencë ndërkombëtare shkencore
13.05.2016 15:17
Më shumë se 50 studiues nga vendi dhe rajoni sot në UT ishin pjesëmarrës në konferencën e dytë ndërkombëtare shkencore...

Më shumë se 50 studiues nga vendi dhe rajoni sot në UT ishin pjesëmarrës në konferencën e dytë ndërkombëtare shkencore, e cila ishte organizuar nga Fakulteti i shkencave të zbatuara pranë UT-së.
Të gjithë studiuesit e kësaj konference prezantuan para të pranishmëve punimet e tyre të studimit, si në fushën e arkitekturës, ndërtimtarisë, mekatonikës dhe shumë fushave tjera që janë në kuadër të këtij fakulteti.
“Me programet studimore arkitekturë, ndërtimtari, mekatronikë, inxhinieri ekonomike, gjeodezi, gjeodezi dhe informatikë, si dhe inxhinieri transportuese të komunikacionit, Fakulteti i shkencave të zbatuara në UT ka përqafuar zhvillimet dhe trendet botërore.”- deklaroi rektori i UT-së, Vullnet Ameti.
“Shpresoj se në të ardhmen bashkëpunimi ynë mes dy universiteteve dhe dy shteteve do të vazhdojë. Sigurisht që në të ardhmen do të organizojmë konferenca të përbashkëta këtu ose në Ferizaj.”- tha rektori i Universitetit të Shkencave të Aplikuara-Ferizaj, Agron Bajraktari.
“Ne nuk pretendojmë se jemi të përkryer, por e dimë se rruga që fillon ka vetëm një fillim dhe nuk përfundon kurrë, dhe shpresoj të mos përfundojë. Një gjë e di, sot organizojmë konferencën e dytë shkencore të fakultetit të zbatuar, po dëshmojmë një kontinuitet të punës.”- tha koordinatori i konferencës, Ferit Idrizi.
Fakulteti i shkencave të zbatuara në UT është mbyllur me vendim të Ministrisë së Arsimit, por UT shpreson që ai të rihapet dhe pikërisht përmes organizimeve të tilla dhe konferencave ndërkombëtare synon të tregojë se sa i rëndësishëm është ky fakultet për studentët dhe shkencën.
VISAR SADIKI
