Maqedoni

Ministri Lutfiu në Konferencën ndërkombëtare “Sfidat : Nga diversiteti ne sinergji” në Universitetin Ballkanik

13.05.2016 15:46

Ministri i Arsimit dhe Shkencës Pishtar Lutfiu sot mori pjesë në Konferencën ndërkombëtare për shkenca shoqërore dhe humane...

Ministri i Arsimit dhe Shkencës Pishtar Lutfiu sot mori pjesë në Konferencën ndërkombëtare për shkenca shoqërore dhe humane me titull  “Sfidat: nga diversiteti ne sinergji” ,  të organizuar nga Univerziteti ndërkombëtar Ballkanik dhe 16 partner – universitete.
 
“Kjo konferencë është një shembull i mirë për faktin se sa i rëndësishëm është  kërkimi shkencor, i lidhur ngushtë me jetën akademike të çdo departamenti si dhe me cilësinë në arsimin e lartë. Falë punës suaj dhe gjithçka që ju doni të ofroni në këtë konferencë ndërkombëtare në lidhje me shkencat sociale dhe humane duke u fokusuar ne temat e shkencave politike, marrdhënive ndërkombëtare, ekonomi, biznes, psikologji, histori, art etj.  universitetet partnere të kësaj konference sot gjejnë arsye për t’u krenuar”.  
 
Ministri Lutfiu shprehu mirënjohje dhe gatishmëri për të ofruar mbështetjen e duhur që tema të tilla dhe aplikime të tilla të mos jenë vetëm pjesë e disa dokumenteve, por realisht të gjejnë zbatim në fusha të rëndësishme të jetës në praktikë.  
 
“Të jesh në një mjedis të tillë, posaçërisht për mua është ndjesi tejet e veçantë, sepse është një ambient ku realisht motivohesh për të mësuar dhe për të qenë bashkë me ju, në mënyrë që arsimi i lartë në Maqedoni, të jetë edhe mjedisi i rëndësishëm ku brumosen dhe  faktohen politika të rëndësishme të zhvillimit të vendit, posaçërisht ato për zhvillimin e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor në vend dhe rajon”, tha ai. 
 
Gjithashtu theksoi vendosmërinë e institucionit që ai drejton, Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës, për të ndërtuar dhe për të mbështetur me të gjitha forcat krijimin e hapësirës evropiane të arsimit të lartë, krijimin e asaj hapësire të domosdoshme shkëmbimesh të ndërsjella që në universitete tona kryefjala të jetë cilësia, për tu mundësuar studentëve dhe profesoreve, ambientet e nevojshme që kërkon pasioni i tyre, puna e tyre, cilësia e kërkimit shkencor, të krahasueshme me ato të parametrave të bashkësive evropiane, ku ne duam të integrohemi. 
 
“Europa dhe fqinjtë e saj janë një shumllojshmëri e ngjyrave, kulturës, gjuhës e kështu me rradhë. Ne na duhet që ky diversitet të prek sfidat para nesh dhe të gjejë zgjidhjet për të ardhmen e përbashkët”, potencoi Lutfiu.