Kulturë
“Bilbili i Kosovës”, në gala-mbrëmjen në Tetovë
19.03.2014 18:32
Artistja e madhe shqiptare, Nexhmije Pagarusha, apo siç njihet ndër ne “Bilbili i Kosovës”, shpalosi kujtimet dhe emocionet e dhuruara nga publiku tetovarë brenda karrierës së saj shumëvjeçare...

Artistja e madhe shqiptare, Nexhmije Pagarusha, apo siç njihet ndër ne “Bilbili i Kosovës”, shpalosi kujtimet dhe emocionet e dhuruara nga publiku tetovarë brenda karrierës së saj shumëvjeçare. Ajo këto fjalë i tha gjatë një konference për shtyp, një ditë para mbajtjes së gala-koncertit pranverorë, në Qendrën e Kulturës në Tetovë, ku do të marrë pjesë si mysafire nderi.
“Të kisha pasur mundësi, do t’u kisha kënduar një këngë, do e kisha pasur më të lehtë se sa të flas dhe t’i shprehi ndjenjat e mia, emocionet e mia që prapë gjendem në Tetovë, këtu ku kam ardhur shpesh herë me koncerte, publiku më ka pritur jashtëzakonisht mirë, pra nuk më kishin harruar… Mua më ka popullarizuar kënga shqipe jo unë atë, gjithmonë ku kam shkuar e kam kuptuar edhe melosin edhe gjuhën tonë shqipe, kështu që edhe njëherë u falënderoj shumë që më keni thirrur dhe që unë pata mundësi shëndetësore të vij… Sidomos kam qenë shumë e lumtur kur është hapur universiteti këtu edhe kam pasur një kolege që i kam thënë, të lutem foli disa fjalë në emrin tim për universitetin”, u shpreh këngëtarja Nexhmije Pagarusha.
Me fjalë miradije për gala-koncertin e nesërm, u shprehen edhe sopranoja Edita Mihajli, si dhe violinisti nga Tetova, Shkelzen Pajaziti.
“Gala-koncerti pranverorë organizohet nga “Opera dhe Baleti i Maqedonisë”, në bashkëpunim me shoqatën “Artal”. Solist do të jenë Shkodran Tolaj, Edith Mihajli, Sllavica Petrovska-soprano, Vlladimir Sazdovski, ndërsa dirigjente Bisera Çadikovska. Mysafire nderi do të jetë Nexhmije Pagarusha”, tha Shkelzen Pajaziti.
Gala-koncerti pranverorë do të mbahet nesër, me fillim në ora 19.00, në Qendrën për Kulturë në Tetovë, ku do të transmetohet drejtëpërdrejtë në TVM2, në rrjetin satelitor dhe atë tokësor. (Miftar Emini, TVM2)
