AShAAV: Kallëzim për kundërvajtje ndaj TV Alfa, Kanal5 dhe Sitel
Agjencia për shërbime audio dhe audio-vizuale paralajmëron padi për kundërvajtje ndaj tre televizioneve që transmetojnë program në nivel shtetëror...

Agjencia në raportin e dytë nga monitorimi pas shpalljes së zgjedhjeve, për periudhën nga 25 prilli deri më 4 maj, ka konstatuar se televizionet Alfa, Kanal5 dhe Sitel kanë raportuar për aktivitetet e organeve të qeverisë në funksionin e paraqitjes mediale të VMRO-DPMNE-së.
Për thyerjet e konstatuara janë ngritur kallëzime për kundërvajtje, njoftuan nga Agjencia.
“Agjencia paralajmëron se po vazhdon mosrespektimi i standardeve profesionale dhe rregullave programore, sidomos për paraqitjen objektive dhe të paanshme të ngjarjeve dhe tretmanin e njëjtë të pikëpamjeve të ndryshme, për respektimin e dinjitetit njerëzor dhe nxitjen e shpirtit të tolerancës. Raporti i parë për intervistat, debatet dhe programet tjera informative në periudhën nga 15 prilli deri në 4 maj treguan se në disa programe informative ka paraqitje të gjuhës së urrejtjes dhe ofendimeve, që janë jashtë kufijve të lejuar në debatin demokratik”, informuan nga kjo Agjenci.
