Raporti periodik i OSBE/ODIHR konstaton: Klima politike është keqësuar pas 12 prillit
Misioni vëzhgues për zgjedhje, OSBE/ODIHR, në Maqedoni e publikoi Raportin Periodik, i cili e përfshin periudhën nga 31 marsi deri më 19 prill...

Në të është konstatuar se pas shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 15 prill, për 5 qershor, LSDM paralajmëroi bojkotimin e tyre për shkak të asaj se nuk janë të plotësuara kushtet kryesore nga Marrëveshja e Përzhinës, pastrimi i listës zgjedhore, reformat në media dhe ndarja e partisë nga shteti.
“Misioni i OSBE-së konstatoi se: klima politike është keqësuar pas 12 prillit, kur presidenti Ivanov i ka falur të gjithë të akuzuarit, persona nën hetim dhe të dyshuar për përfshirjen në të ashtuquajturin skandalin me përgjimet, ndërsa të gjitha partitë më të mëdha politike e gjykuan faljen dhe e ftuan presidentin që të heqë dorë nga ai vendim”- u tha nga OSBE/ODIHR.
Në Raport theksohet se KShZ-ja, si bartëse kryesore e obligimit për mirëmbajtjen e listës zgjedhore, “po punon në një atmosferë politike të tensionuar dhe seancat e tyre të gjata po tërheqin vëmendjen e mediave”.
“Saktësia e listës zgjedhore ngel si njëra prej çështjeve më kontestuese në krizën aktuale politike. Në shkurt, KShZ-ja ka nisur me pastrimin e Listës zgjedhore përmes kontrollit të kryqëzuar të bazës së të dhënave në 11 institucione, si dhe përmes zbatimit të kontrollit në terren. 13 bashkëbiseduesit e NMI-së të OSBE/ODIHR deklaruan se procesi ka qenë i ndërlikuar, metodologjia e rëndë, si dhe janë të nevojshme resurse të mëdha. Më 15 prill, KShZ solli vendim se janë të përgatitur për zgjedhje të lira dhe demokratike. Kryetari i KShZ-së dhe dy përfaqësues të opozitës refuzuan që të marrin pjesë në votim.”- thuhet në Raport.
Sa i përket lirisë së mediave, në raport OSBE/ODIHR ka shprehur brengosje për rënien e lirisë së mediave, si rezultat i presioneve politike, si dhe ndërhyrjen e pronarëve të mediave në punën e gazetarëve. Raporti edhe njëherë e rithekson nevojën për reforma rrënjësore në media, duke u bërë thirrje si politikanëve ashtu edhe pronarëve që t’a respektojnë fjalën ndryshe dhe qasjen kritike të medias.
OSBE/ODIHR vendosi mision vëzhgues të zgjedhjeve më 31 mars, me qëllim që t’i vëzhgojë zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 5 qershorit. Misioni përbëhet prej 12 anëtarësh, me seli në Shkup, të përzgjedhur nga 21 vende përfaqësuese të OSBE-së. Po ashtu nga vendet anëtare u kërkua që në ditën e zgjedhjeve të dërgojnë 300 vëzhgues afatshkurtër për të ndjekur zhvillimet ditën e zgjedhjeve. (Gazmend Rexhepi, TVM2)
