Tre milionë euro për 26 projekte kushtuar zhvillimit të barabartë rajonal
Në tetë rajonet planore në vend, me tre milionë euro mjete buxhetore do të financohen 26 projekte të cilat pritet të ndikojnë në zhvillimin e barabartë rajonal, përkatësisht krijimin e kushteve më të mira për jetesë...

Marrëveshjet për realizimin e projekteve i nënshkruan përfaqësuesit e tetë rajoneve planore me drejtorin e Byrosë për Zhvillim Rajonal, Xhemail Elmazi.
“Ndarja e këtyre mjeteve është bërë sipas nivelit të zhvillimit të rajoneve planore, ku më së shumti mjete fiton rajoni më pak i zhvilluar, ai verilindor, ndërsa më së paku rajoni i Shkupit, si më i zhvilluar.”- deklaroi drejtori i Byrosë për Zhvillim Rajonal, Xhemail Elmazi.
Buxheti i këtij viti për projekte të këtilla ishte dyfish më i madh nga ai i vitit të kaluar, deklaroi ministrja e Pushtetit Lokal, Shirete Elezi, e cila bëri të ditur se më së shumti mjete do të përfitojë rajoni më pak i zhvilluar, ai verilindor, edhe atë 31 milionë denarë, derisa ai i Shkupit, si më i zhvilluar, do të përfitojë 13 milionë denarë.
“Janë ndërmarrë shumë hapa të rëndësishëm për implementimin e vlerave evropiane dhe standarde për nivel lokal, dhe janë sjellë shumë vendime për zhvillimin e komunave. Edhe pse hyjmë në shtet të decentralizuar, kemi edhe shumëçka që duhet ndërmarrë në rritjen e pavarësisë financiare të komunave.”- tha ministrja e Pushtetit Lokal, Shiret Elezi.
Sipas zëvendëskryeministrit, Vlladimir Peshevski, me këto mjete do të financohen projekte me të cilat do të ndërtohet infrastruktura lokale rrugore në tetë rajone, do të ndërtohet infrastruktura në dy zona industriale lokale në Veles dhe Negotinë, do të caktohet hapësirë publike për parqe në dy rajone, do të modernizohet tregu i bagëtive në rajonin e Pellagonisë, do të realizohen projekte infrastrukturore komunale në tre rajone, ndërsa do të bëhet sanimi dhe adaptimi i shtëpizë së zejtarëve në Kumanovë.
Njëherit u theksua se janë siguruar edhe 77 milionë denarë për rajonet specifike dhe zhvillim të fshatrave. (Gyltene Sinani, TVM2)
