Naser Zyberi: Kuvendi, instrument i vetëm për dalje nga ngërçi

13.05.2016 17:44

Konvokimi i kuvendit është e vetmja rrugë për kapërcimin e këtij ngër¬çi politik, vlerëson eksperti juridik, Naser Zyberi...

Sipas tij, të gjitha instrumentet janë në duar të subjekteve politike, nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinës, që nëpërmjet organit ligjdhënës t’a kthejnë Maqedoninë në binarët e një shanse për të dalë nga kriza.

“Kjo është e vetmja rrugë e zgjidhjes momentale të krizës, kapërcimit të këtij ngërçi, i cili duhet të hapë perspektivë për zgjidhjen e problemeve tjera njëri pas tjetrit, ashtu siç janë evidentuar në Marrëveshjen e Përzhinës. Pa konvokimin e seancës së parlamentit nuk mund të vazhdohet më tutje në debllokimin e procesit.”- deklaroi eksperti juridik, Naser Zyberi.

Konvokimi i kuvendit nuk bie ndesh me kushtetutën, sqaron Zyberi.

“Kuvendi detyrimisht duhet të konvokohet konform paragrafit 4 të nenit 63. Kuvendi është shpërbërë me vendim të 63 deputetëve. Kuvendi nuk është shpërbë me fuqi të kushtetutës dhe ligjit, sepse kushtetuta dhe ligji thotë se mandati i deputetit zgjat 4 vjet.”- tha Zyberi.

Mosdorëzimi i listave në KShZ nga tre partitë nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinës do të thotë se nuk janë përmbushur kushtet për zgjedhje kredibile, për të cilat me kohë ka apeluar faktori ndërkombëtar, konsideron Zyberi. 

“Fakti që tre partitë kryesore nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinës nuk dorëzuan listat në KShZ në afatin e paraparë deri më 11 maj, është përgjigje pozitive ndaj apelit të faktorit ndërkombëtar se nuk janë krijuar kushte se nuk mund të ketë zgjedhje korrekte, demokratike dhe kredibile më 5 qershor dhe njëherit paraqet refuzim ndaj insistimit të VMRO-DPMNE-së që me çdo kusht më 5 qershor të ketë zgjedhje.”- theksoi Zyberi.

Mbajtja eventuale e zgjedhjeve, të cilat do t’i bojkotonin tre partitë nënshkruese të Marrëveshjes së Përzhinës, do t’a shndërronte vendin me një parlament monopartiak, njësoj si në kohën e monizmit, sqaron Zyberi, duke shtuar se zgjedhjet e tilla nuk do të njihen ndërkombëtarisht. (Naim Ramadani, TVM2)