Komisioni Evropian: Nuk ka kushte për zgjedhje më 5 qershor
“Nuk ka kushte për mbajtjen e zgjedhjeve më 5 qershor”, vlerëson Komisioni Evropian, sipas të cilit kriza politike po e largon Maqedoninë nga aspiratat e saja euroatlantike...

“Nuk e shohim që janë plotësuar kushtet minimale për zgjedhjet e 5 qershorit të vitit 2016, që ato të pranohen nga komuniteti ndërkombëtar”, thuhet mes tjerash në letrën e Komisionit Evropian.
Në këtë kontekst, Komisioni thekson nevojën për pastrimin e listës zgjedhore, të sigurohet balancim në raportimin mediatik dhe që të hetohet frikësimi i votuesve.
“Nën këto kushte, çdo qeveri që del si rezultat i zgjedhjeve në të cilat tre partitë më të mëdha nuk marrin pjesë, nuk do të jetë partner i besueshëm për komunitetin ndërkombëtar. Komisioni ju bën thirrje liderëve politik dhe autoriteteve relevante që të ndërmarrin hapa vendimtar që t’a adresojnë situatën, duke respektuar Marrëveshjen e Përzhinës”, theksohet më tej në letër.
KE-ja gjithashtu bën thirrje që liderët politik të adresojnë problemet e vazhdueshme me sundimin e së drejtës pa asnjë vonesë. Kjo ka të bëjë në mënyrë të veçantë me nevojën për revokimin e faljes presidenciale, drejtësia duhet të mbizotërojë dhe kjo duhet të shihet qartë. Kjo është e vetmja mënyrë për të rivendosur besimin e qytetarëve në institucionet shtetërore, për t'i dhënë fund tensioneve aktuale dhe për të ruajtur sundimin e ligjit në vend.
“Liderët politik nuk mund të pretendojnë se ky është biznes i zakonshëm. Veprimet e fundit dhe çdo mosveprim i mëtejshëm tani do të ketë pasoja serioze”, thuhet në përfundim të letrës.
Komisioni mbetet i angazhuar dhe në dispozicion për të ndihmuar të gjitha palët.
