Oklahoma mposht San Antonion, do të takohet me Golden State

13.05.2016 19:39

Oklahoma është skuadra e dytë finaliste e play off-it në Konferencën e Perëndimit, pas triumfit 113-99 arritur dje ndaj San Antonios në gjysmëfinalen e gjashtë të play off-it...

Një sukses që ka çuar ekipin e Thunder në finalet e Perëndimit, ku do të përballet me kampionët e Golden State. Oklahoma fitoi 4-2 serinë e ndeshjeve gjysmëfinale mes dy ekipeve, një rezultat disi surprizë, pasi Spursat ishin favoritë, duke patur edhe një renditje më të mirë në sezonin e rregullt.

Ndeshja e djeshme u komandua nga Oklahoma, që pati epërsi gjatë gjithë kohës, duke e merituar fitoren dhe kualifikimin në finale.

Kevin Durant bëri diferencën në fushë, duke realizuar 37 pikë, mbështetur edhe nga Westbrook me 28 pikë e 12 asist, një dyshe ëndrrash që dje bëri diferencën në parket.

Për San Antonion nuk mjaftuan 22 pikët e Leonard, 19 të Duncan e 18 të Aldridge për të evituar humbjen dhe eliminimin nga gara për titull.