Tjetër ditë historike, Kosova pranohet edhe në FIFA

13.05.2016 21:16

Pritjes i ka ardhur fundi, më në fund edhe Kosova është pranuar në shtëpinë më të madhe të futbollit në botë FIFA-n.

Në kongresin e 66-të të FIFA-s të mbajtur në Meksikë, delegatët e këtij kongresi kanë votuar për Kosovën.

Nga 207 delegatë që ishin pjesëmarrës në këtë kongres, Kosova ka marrë 141 vota pro dhe duke hyrë kështu përfundimisht në FIFA si anëtarja më e re e saj.

Pas pranimit në FIFA, Kosova do të ketë të drejtën të luaj në kualifikimet e kampionatit botëror ‘Rusi 2018’.

Edhe pse kishte kundërshtarë të shumtë për pranimin e Kosovës në FIFA, më në fund drejtësia erdhi në vend, fitoi futbolli, fitoi Kosova e cila është në FIFA e barabartë me të gjitha shtetet e botës. Menjëherë pas kumtimit të rezultatit përfundimtar, I pari që uroi presidentin e Federatës Futbollistike të Kosovës, Fadil Vokrrin, ishte njeriu numër një i FIFA-s, Gianni Infantinom duke thënë që Kosova u bë anëtarja e 210-të e shtëpisë numër një futbollistike në botë. Nga ana tjetër, pasi fillimisht kishte mbajt fjalim para votimit, Vokrri, përshëndeti të gjithë delegatët edhe pas pranimit zyrtar, duke folur I emocionuar para të pranishmëve.

“Jam tejmase i emocionuar pas këtij vendimi historik për futbollin kosovar, fal të cilit, futbolli ynë sot u pranua edhe në FIFA. Dëshiroj të falenderoj të gjithë ata që na dhanë mbështetje, duke filluar nga tifozët, administratorët dhe futbollistët në vendin tonë. Gjithë ata kanë merita për këtë ditë historike. Kosova, një kohë të gjatë priti këtë vendim, që të jetë anëtare me të drejta të plota e familjes më të madhe futbollistike në botë. Ju falenderoj edhe njëherë të gjithëve”, ishin fjalët e para të kryetarit të FFK-së, Fadil Vokrri.

Me këtë, Kosova, pasi para dhjetë ditësh u bë anëtare me të drejta të plota në UEFA, u bë pjesë edhe e FIFA-s, me çka anashkalohen të gjitha pengesat e mundshme që I kishte futbolli kosovar deri më tani.

Pas kësaj, Kosova edhe zyrtarisht do të mund të luaj edhe në kualifikimet për Kampionatin Botëror “Rusi 2018”, me ç`rast do të gjendet në një nga dy grupet kualifikuese, të cilat përbëhen nga pesë ekipe. (Mustafa Ademi, TVM2)