Maqedoni

Zgjedhjet e 5 qershorit Gruevski: Nuk mund të anulohen, Zaev: Nuk do ketë

15.05.2016 16:12

Edhe pse VMRO DPMNE është partia e vetme që do të garojë në zgjedhjet e 5 qershorit...

Edhe pse VMRO DPMNE është partia e vetme që do të garojë në zgjedhjet e 5 qershorit, lideri i sajë Nikolla Gruevski thotë se nuk është gjetur një mundësi kushtetuese që të anulohen zgjedhjet edhe krahas bojkotit të LSDM-së, BDI¬së dhe PDSH-së, prandaj edhe shprehet i gatshëm që partia e tijë të shkojë e vetme në zgjedhje. 
 
Por në intervistën për agjencinë franceze të lajmeve AFP Gruevski thot se dëshiron fitore të merituar zgjedhore dhe se partia e tij do të jetë e gatshme për organizimin e zgjedhjeve plotësuese, menjëherë pas zgjedhjeve të 5 qershorit. 
 
"Gjendemi në një situatë shumë të pakëndshme ku vetëm një nga katër partitë e mëdha merr pjesë në zgjedhje. Partia ime do të jetë e gatshme që menjëherë pas formimit të Kuvendit të ri të organizohen zgjedhje plotësuese dhe t'u jepen shanse qytetarëve të zgjedhin. Dëshirojmë fitore të merituar", ka deklaruar Gruevski për Agjencinë franceze të lajmeve.
 
Gruevski, në intervistë, thotë se në përgjithësi përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare nuk e mbështesin mbajtjen e zgjedhjeve më 5 qershor, por ende asnjë nuk ka propozuar mënyrë për anulimin e zgjedhjeve që do të ishte në pajtueshmëri me Kushtetutën e Maqedonisë. 
 
AFP rikujton se zgjedhjet duhej të mbaheshin në fund të prillit, por tashmë u anuluan për shkak të vërejtjeve të opozitës.
 
Agjencia shkruan se në Maqedoni vazhdojnë protestat të disa mijë demonstruesve të cilët grumbullohen çdo natë në kuadër të "Revolucionit të larmë", me ç'rast hedhin balona me ngjyrë në ndërtesat neoklasike në qendër të Shkupit, në shenjë proteste pas vendimit të presidentit Gjorgje Ivanov për abolimin e 50 personave.
 
Por Gruevski për AFP thot se ka qenë i befasuar nga vendimi i presidentit për abolim.
 
"E kuptoj perceptimin nga jashtë, por koha do të tregojë se kush ka pasur të drejtë, e kush jo", thotë Gruevski.
 
Por ndryshe i sheh zhvillimet lideri i opozitës Zoran Zaev, i cili në një intervistë për France Press thekson se zgjedhje më 5 qershor nuk do ketë bazuar në bisedat që i ka realizuar me përfaqësues ndërkombëtar dhe të partive politike.
 
”Zgjedhjet e parakohshme parlamentare duhet që të shtyhen ndoshta për në vjeshtë, përderisa nuk plotësohen kushtet për zgjedhje të lira dhe demokratike”, deklaroi lideri i LSDM-së, Zoran Zaev. 
 
Parlamenti u shpërbë muajin e kaluar si pjesë e marrëveshjes për t`i dhënë fund krizës politike, me të cilën ndërmjetësonte BE-ja. 
 
Lidhja social demokratike dhe dy parti tjera kyçe refuzuan që të marrin pjesë në zgjedhje, shkruan kjo gazetë. 
 
“E di se zgjedhjet nuk do të mbahen me 5 qershor”, deklaroi Zaev, I cili këtë qëndrim e bazon në bisedimet midis përfaqësuesve të bashkësisë ndërkombëtare dhe partive politike.
 
Zaev, ashtu siç paralajmëron në intervistë, pret nga të gjitha partitë politike që në fillimin e javës së ardhshme, në pajtueshmëri me ligjet vendore ta ftojnë kryetarin e Parlamentit, Trajko Veljanovski që të caktoj një séance kuvendore. 
 
GYLTENE SINANI