Maqedoni

Lutfiu: Vazhdojmë të investojmë në arsim

16.05.2016 15:24

Minstri i arsimit dhe shkencës Pishtar Lutfiu, sot mori pjesë në shënimin e ditës së shkollës fillore “Rametulla Ameti”...

Minstri i arsimit dhe shkencës Pishtar Lutfiu, sot mori pjesë në shënimin e ditës së shkollës fillore “Rametulla Ameti”, në fshatin Çiflik, komuna e Zhelinës.
 
“Ministria e Arsimit dhe Shkencës, është e përkushtuar në vazhdimin e rinovimit dhe ndërtimit të objekteve shkollore në mbarë vendin, ndërsa agjendën rënditëse e bazon në prioritetet e arsyeshme. Këtë trend të ndërtimit  apo të meremetimit të objekteve shkollore e kemi realizuar edhe në këtë anë, pra në Malin e Thatë, në vedbanimet mbase më rurale të komunës së Zhelinës. Gjatë periudhës së kaluar thuajse nuk ka mbetur shkollë që nuk është renovuar apo meremetuar. Do të përmend disa nga projektet, ndërtimi i sallës sportive “Luigj Gurakuqi”, ndërtimi i objektit të ri shkollor në  fshatin Merovë, në Kopaçin Doll, Novo sellë dhe rekonstruimi dhe vendosja e nxemjes qendrore në shkollën qendrore “Pashko Vasa” në Grupçin”.
 
Në vazhdën e këtyre ndërtimeve, theksoi Lutfiu, Ministria e Arsimit dhe Shkencës në periudhën që vjen do të vendos nxemjen qendrore në shkollën fillore “Ibrahim Temo” në fshatin Strimnicë, në shkollën fillore  të fshatit Llërcë si dhe në Çiflik. 
 
“Për këto projekte tanimë janë hapur tenderë, ndërsa realizimi do duhet të përfundojë deri në fund të muajit shtator të vitit 2016. Për të gjtha këto projekte është paraparë që të shpenzohen më shumë se 7 milion denarë, potencoi Ministri, duke shtuar që shkolla mbetet tempulli më i lakmuar dhe më i frekuentuar, ku fëmijët prekin ëndrrat e tyre për të ardhmen. Për më tepër, këto ëndrra bëhen akoma më të bukura, kur zenë fill në një shkollë të re, plot dritë e jetë. Progresi për një të ardhme më të sigurtë ka nevojë për idetë dhe energjitë e të rinjve dhe të rejave. Këto energji që shkolla gjeneron do të jenë fokusi i gjithë punës sonë në arsimimin e brezave të rinj”, theksoi Lutfiu.
 
Arsimi dhe edukimi i rinisë, tha ministri i arsimit dhe shkencës, është themeli i çdo shteti.