Botë
Luftimi i virusit - Shkencëtarët klonojnë virusin Zika me qëllim përdorimin si vaksinë
16.05.2016 21:56
Pas shumë muajsh përpjekjesh, shkencëtarët amerkanë kanë arritur që të krijojnë një klon të virusit Zika, i cili mund të përdoret si vaksinë për të ndaluar përhapjen e kësaj sëmundjeje...

Aktualisht kloni ka arritur që të infektojë mushkonjat, të cilat arritën që gjithashtu ta përcillnin virusin tek një kavie laboratorike.
Ekspertët shprehen se shumë shpejt do të kryejnë një testim mbi një njeri normal, por theksojnë se vaksina do të kërkojë disa vite përpara se të përhapet masivisht.
Shkencëtarët amerikanë kanë arritur që të klonojnë virusin Zika, gjë që është konsideruar një arritje mjaft e rëndësishme në përpjekjet për të krijuar një vaksinë kundër kësaj sëmundjeje. Sipas ekspertëve, klonimi mund të jetë kundërpërgjigjia më e mirë për të ndaluar përhapjen e mëtejshme të virusit.
Në testimet e kryera në Universitetin e Teksasit, kloni ishte i aftë që të infektonte mushkonjat, të cilat arritën që më pas t’a përcillnin sëmundjen tek një kavje laboratorike. Shkencëtarët janë optimistë se kjo arritje mund t’i dërgojë ata drejt krijimit të një kure përfundimtare e cila mund të jetë e gatshme gjatë muajve të ardhshëm.
Ata shprehen se shumë shpejt do ta testojnë krijimin e tyre tek një njeri normal për të parë efektet që jep kloni. Megjithatë, sipas tyre do të duhen disa vite testimesh përpara se kura të përhapet masivisht.
Virusi Zika alarmoi mbarë botën përpara disa muajsh kur nisi të përhapet masivisht në Amerikën Latine. Ajo mund të përcohet në disa mënyra, ku më e rrezikshmja mbetet ajo përmes mushkonjave.
Zika shkakton skuqje, acarim të lëkurës, temperature si dhe një sërë efektesh të tjera anësore.
Megjithatë, rreziku më i madh i këtij virusi bie mbi të porsalindurit. Në rast se nëna e tyre infektohet gjatë shtatzanisë, të vegjlit mund të lindin më disa komplikacione, përfshirë deformimet e kokës./Oranews
