Shkëndija fiton Kupën e Maqedonisë në futboll

17.05.2016 12:14

Për herë të parë në historinë e saj Shkëndija e Tetovës fiton Kupën e Maqedonisë në futboll...

Skuadra e drejtuar nga trajneri boshnjak Bruno Akrapovic në finalen e zhvilluar në stadiumin Philipi i 2-të të Shkupit arriti të triumfojë 2-0 ndaj Rabotniçkit.

Shkëndija kaloi në avantazh që në minutën e 7 me anë të Redeskit, ndërsa edhe në vazhdim ishin tetovarët që kontrollonin lojën.

Në minutën e pestë të shtesës ishte Stenio Junior që vulosi një sukses historik për Shkëndijën, duke realizuar edhe golin e dytë në këtë finale.

Objektivi primar i Shkëndijës në këtë sezon ishte të fitonte kampionatin maqedonas, por trofeu në fund shkoi te skuadra e Vardarit të Shkupit, megjithatë edhe triumfi në kupë është një arritje historike për skuadrën tetovare, pasi nuk e kishte fituar asnjëherë më parë të njejtën dhe kishte humbur dy finalet e deritanishme, të luajtura kundër Makedonija Gj.P. dhe Teteksit.