Klinton fitoi në Kentaki, ndërsa Sanders në Oregon
Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Hillari Klinton fitoi në zgjedhjet e djeshme preliminare për kandidat presidencial të Partisë Demokratike në shtetin federal Kentaki, përderisa në Oregon fiton kundërkandidati i saj, senatori nga Vermonti, Berni Sanders...

Siç lajmëroi CNN, sipas 99 për qind të fletëvotimeve të numëruara në shtetin jugor Kentaki, Klinton ka fituar 46,7 për qind të votave, ndërsa Sanders fitoi 46,3 për qind.
Sipas analistëve, raporti i këtillë pritet të mbahet edhe gjatë rinumërimit të votave të tjera.
Nga ana tjetër, në Oregon, në veriperëndim të SHBA-së, sipas 60 për qind të fletëvotimeve të numërzara, Sanders fitoi 52,7 për qind të votave, ndërsa Klinton 47,3 për qind.
Fituesi në Kentaki merr 60, ndërsa ai në Oregon 74 delegatë në Konventën nacionale demokratike, që do të mbahet në korrik në Filadelfi.
Para votimit të djeshëm, Klinton kishte siguruar 94 për qind të 2.383 delegatëve të nevojshëm, kështu që u mungonin edhe 143 delegatë për ta siguruar nominimin e vet presidencial.
Mediumet amerikane kumtuan se ndaj Sanders po bëhet presion që të heqë dorë nga gara e mëtutjeshme zgjedhore, në kushte kur Donald Tramp është pothuajse kandidat i sigurtë presidencial i republikanëve.
Kryesia e partisë demokratike konsideron se mbetja e Sandersit në garë dhe retorika e tij e ashpër kundër Klintonit i shërben vetëm Trampit, me çka mund të përkeqësohen pozicionet e saj në përllogaritjen e drejtpërdrejtë me kandidatin e Partisë republikane.
Megjithatë, senatori nga Vermonti, i cili është shfaqur në zgjedhje edhe si kandidat i pavarur, edhe më tej thotë se mbetet në garë për nominimin presidencial. (mia.mk)
