Basketboll

NBA, Cleveland “leksion” Torontos në finalen e Lindjes

18.05.2016 16:36

Cleveland Cavaliers i jep një leksion basketbolli Toronto Raptors në përballjen e parë finale të Konferencës së Lindjes...

Skuadra nga Ohio trioumfoi 115-84 ndaj kanadezëve duke regjistruar fitoren me të thellë në fazën play off.
 
Të udhëhequr nga dyshja Irving-James, Cavaliers ishin thjesht të papërmbajtshëm mbi parketin e “Quicken Loans Arena”, ku treguan edhe një herë diferencën që kanë me skuadrat e tjera të Konferencës së Lindjes.
 
Ëndrra e Torontos zgjati vetëm pak minuta pas një rezultati fillestar 0-7, më pas nisi shfaqja e Cleveland. Irving ishte thjesht fantastik me 27 pikët e tij, ndërsa LeBron James, që shtoi 24 pikë të tjera, masakroi mbrojtjen e Raptors, madje edhe duke asistuar shokët e skuadrës.
 
Kevin Love edhe pse realizoi vetëm 14 pikë, dha kontributin e tij me me katër topa të kontrolluar nën tabelë.
 
Vetëm gjatë periodës së parë që u mbyll 33-28, treshja James-Irving-Love realizuan sa të gjithë basketbollistët e Torontos.
 
Në fillim të periodës së dytë pas një trepikëshi të Cavaliers rezultati shkoi 52-32, me pjesën e parë që u mbyll 64-44.
 
Ndeshja nuk kishte më histori, mbrojtja e Raptors thjesht nuk funksiononte më.
 
Në fund të periodës së tretë tabela elektronike shënonte 95-67 me një diferencë të pabesueshme prej 28 pikësh.
 
Përballja e radhës do të zhvillohet po në Ohio në orët e vona të së enjtes.