Maqedoni
Reagon opozita jashtëparlamentare shqiptare: BDI edhe një herë shpëtoi VMRO-në dhe Gruevskin
18.05.2016 16:50
Partitë jashtëparlamentare shqiptare e cilësojnë vendimin e Kushtetueses, si vendim të pastërt politik...

LR-PDSH pranon se është vendim I drejtë , pasi pezulloi vendimin antikushtetues për shpërbërjen e Kuvendit, por nga partia e Selës këmbëngulin se iniciativa ishte e VMRO-së.
“Është vendim i drejtë sepse shpërbërja e parlamentit ishte anti-kushtetues por në esancë fatkeqësisht është përsëri vendim politik. Të njejtën iniciativë e kishte edhe një subjekt tjetër politik, por atëherë Gjykata Kushtetuese nuk ishte kompetente për të njejtin vendim për të cilin sot është kompetente. Është më se e qartë që ka qenë iniciativë e VMRO-DPMNE-së , që ka kontroll në shumicën e gjykatësve në Kushtetuese, dhe jo iniciativë e BDI-së”, komentojnë nga LR-PDSH.
Ka reaguar edhe lëvizja “Besa” sipas së cilës, BDI edhe një herë e shpëtoi Gruevskin.
“Duke e parë qartë se VMRO-ja mbeti partia e vetme që do të shkonte në zgjedhje dhe ky do të ishte fundi i saj politik, ajo si gjithnjë thirri në ndihmë argatin e saj për këto çështje, që ta shpëtojë. BDI-ja ngriti procedurën, ndërsa gjykatësit e VMRO-së në Kushtetuese, po ata që ia dhanë Ivanovit të drejtën për falje të kriminelëve, kësaj radhe votuan se nuk ka kushte për zgjedhje dhe kështu vendosi ta vazhdojë serialin patetik “Ahmeti shpëton Gruevskin”, thuhet në kumtesën me shkrim nga Lëvizja “Besa”.
UNITETI përshëndet vendimin unanim të Gjykatës Kushtetuese për anulimin e vendimit për shpërbërje të Kuvendit dhe mbajtje të zgjedhjeve parlamentare më 5 qershor.
“Ky vendim tregon se shumica parlamentare VMRO-BDI në mënyrë antikushtetuese shpërbëri Kuvendin dhe caktoi zgjedhjet. Nën presion të madh ndërkombëtar dhe nën presion të madh të opinionit vendas, VMRO urdhëroi, ndërsa BDI inicoi tërheqjen e këtij vendimi nëpërmjet Gjykatës Kushtetuese. Kjo vetëm vërtetoi se të gjitha institucionet shtetërore por edhe Gjykata Kushtetuese janë nën kontroll të plotë të partisë. Kërkojmë që menjëherë të anulohet vendimi i Ivanovit për falje kolektive të pushtetarëve dhe t’i mundësohet Prokurorisë Speciale të vazhdojë me punën e saj”, thuhet në reagimin e partisë UNITETIT.
Lidhja Demokratike ndëkrohë, konsiderоn se vendimi i Gjykatës Kushtetuese, është fitore e të drejtës dhe logjikës juridike ndaj politikës të cilën e zhvillon udhëheqësia e VMRO-DPMNE-së.
GYLTENE SINANI
