Maqedoni

Kuvendi vendosi: Anulohen zgjedhjet e 5 qershorit

18.05.2016 20:46

Anulohen zgjedhjet e 5 qershorit. Me 96 vota për dhe asnjë kundër Kuvendi miratoi propozim ndryshimin e kodit zgjedhor...

Anulohen zgjedhjet e 5 qershorit. Me 96 vota për dhe asnjë kundër Kuvendi miratoi propozim ndryshimin e kodit zgjedhor, të inicuar nga grupi parlamentar i BDI-së, në të cilën parashihet anulimi i datës se zgjedhjeve por pa përcaktimin e datës konkrete se kur do të mbahen të njejtat deri në plotësimin e kushteve për zgjedhje.
 
Gjatë debatit kishte shumë replika dhe kundërreplika të deputetëteve të BDI-së, LSDM-së dhe të VMRO-DPMNE-së.
 
Xhevat Ademi i BDI-së tha se elita politike maqedonase duhet të sillet me më përgjegjësi pasi shqiptarët mund të kërkojnë alternativa të reja. 
 
“Shqiptarët në kuptimin e orientimit strategjik nuk kanë alternativë përveç anëtarësimit në NATO dhe integrimit në Bashkimin Evropian. Por në anën tjetër dua tua bëj me dije nga kjo foltore se në kuptimin politik dhe kombëtar shqiptarët kanë edhe alternativa tjera. Ju ftoj të mendoni për këto. Mos na detyroni të ngrejmë dorë, mos na detyroni të themi mjaftë më”, tha Xhevat Ademi, nga BDI.
 
LSDM  tha se BDI flet për eurointegrime por mban krahun e VMRO-DPMNE-së  dhe pengon jetësimin e Marrëveshjes së Përzhinës. Ndërsa VMRO-DPMNE-së fjalimin e Ademit e vlerësoi si joadekuat.
 
“Po flisni për perspektiva euroatlantike, ndërsa me skenarit tuaj që nuk dihet se e cila me rradhë e luani me VMRO-DPMNE-në votoni kundlr alternativës së vetme të cilën Maqedojnia e kishte me qëllim të sigurojë integrimet euroatlantike, e ajo është Marrëveshja e Përzhinës”, tha Petre Shilegov, nga LSDM.
 
“Nuk do të doja tua rikujtoj si është situata politke në Shqipëri, ashtu siç ka qenë tek ne një vit më parë, dhe nuk dua të bëhet sikur tek ne. Gjithashtu nuk dua të rikujtoj si është situata politike në Kosovë. Aq më pak nuk dua të rikujtoj çfarë probleme kemi pasur në vitin 2008 gjatë organizimit të zgjedhjeve dhe gjithmonë etniteti maqedonas është sjellur me konstruktivitet, korrektesi dhe asnjëherë nuk ka luajtur rolin e të madhit, veprimi i tillë nuk ndihmon”, tha Ilija Dimovski, nga VMRO.
 
Fillimisht Kuvendi konstatatoi dorëheqjet e ministrave dhe zv/ministrave nga rradhët e LSDM-së dhe njëherit u zgjodhën  dy ministrat e rinj ai i Punëve të brendshme Mitko Cavkov dhe punës dhe politikës socilae Dime Spasov.
 
Kjo ngjalli reagime të LSDM-së, të cilët thanë se VMRO dhe BDI po e shtynë vendin në një krizë më të thellë politike,por nga VMRO u kundërpërgjigjën se shkak i revoltit të LSDM-së nuk është regjistri zgjedhor por rejtingu i ulët i kësaj partie.  
 
ERSAN PAJAZITI