Europoli: 800.000 emigrantë libianë gati të hyjnë në Europë

19.05.2016 13:32

Një raport i klasifikuar sekret i agjensisë Europol bën me dije se afro 800.000 emigrantë të bllokuar në Libi po tentojnë që të lundrojnë ilegalisht në Europë...

Materiali është siguruar nga disa aktivistë që mbështesin daljen e Britanisë së Madhe nga BE-ja, dhe theksohet se 90% e klandestinëve pritet që të udhëtojnë drejt kontinentit të vjetër përmes barkave të trafikantëve.

Ata japin alarmin se një gjë e tillë mund të rrisë edhe rrezikun që Europa të goditet sërish nga sulmet terroriste, duke parë prezencën gjithnjë e në rritje të Shtetit Islamik në Libi.

Deri më tani, mendohet se numri i ekstremistëve të kësaj organizate terroriste në shtetin afrikano-verior është midis 2.000 dhe 6.000 luftëtarëve.

ISIS ka arritur që të vërë nën kontrrollin e tij një sasi të konsiderueshme të territorit libian.

Aktualisht BE-ja po has jo pak probleme në menaxhimin e situatës aktuale të krijuar nga emigrantët që largohen nga zonat e konfliktit në Lindjen e Mesme, ndaj një valë prej 800.000 refugjatësh mund t’ua vështirësoj edhe më shumë punën shteteve europiane.

Përgjatë muajve të fundit, në Europë kanë mbërritur edhe klandestinë nga Afrika, por numri i tyre ka qënë mjaft i ulët në krahasim me mijëra azil-kërkues që vijnë kryesisht nga Siria, Iraku dhe Afganistani.