Futboll

Sevilla fiton sërish Europa League

19.05.2016 14:43

Sevilla magjike fiton të tretin trofe rresht të Europa League...

Në finalen e Baselit, skuadra e drejtuar nga Unai Emery u mjaftua me pjesën e dytë për t’i dhënë një leksion futbolli ekipit të Jurgen Klopp që u mund me rezultatin 3-1 pas një pjese të dytë ku shkatërroi gjithë ndërtuar me djersë përgjatë një sezoni.
 
Në “St. Jakob Park” andaluzianët rezultuan skuadra më e fortë në një ndeshje të çuditshme ku dominuan anglezët falë eksperiencës në këtë kompeticion që tashmë e kanë bërë pronë të tyre që prej tre sezonesh. Shkëndijën e parë të ndeshjes e dha Liverpooli në minutën e 8 me Emre Can që tentoi nga rreth 20 metra por David Soria reagoi me një pritje të saktë.
 
3 minuta më pas, Clyne dhuron një top për kokën e Sturridge, por Carriço shpëtoi skuadrën andaluziane në linjën e portës. “The Reds” dominues me frenat e lojës në dorë tentuan edhe në të 25-ën sërish me Sturridge që u përball sërish me murin Soria, ndërsa Sevilla u zgjua pak pasi kaloi gjysmë ore lojë pasi francezi Kevin Gameiro ishte shumë pranë supergolit me një roveshatë që për pak nuk përfundoi në cepin e djathtë të Mignolet. 10 minuta nga fundi i pjesës së parë, Sturridge me të jashtmen ngriti në qiell tifozët e kuq.
 
Në sekondat e fundit, Milner kishte në këmbët e tij topin e golit të dytë, ndërsa Sturridge nuk përfitoi nga pasimi i Clyne. Pak sekonda nga rikthimi i skuadrave  në fushën e lojës, Kevin Gameiro barazoi shifrat pas një aksioni model.
 
Ky ishte momenti kur çelësi i Liverpoolit u ul dhe skuadra e Klopp u fik pasi Sevilla dominoi në çdo aspekt. Kaq mjaftoi që Sevilla të përfitonte nga momenti i dobët i kundërshtarëve duke shënuar edhe golin e dytë me Coke në minutën e 64.
 
I njëjti autor, i mbajtur në lojë nga prekja e Coutinhos shënoi edhe golin e tretë që vulosi fatin e takimit.
 
Nokdaun i pakuptueshëm për Liverpoolin që doli i transformuar nga dhomat e zhveshjes, duke humbur busullën e ndeshjes me dy fytyra tërësisht të ndryshme.
 
Skuadra angleze nuk arrin të rikthehet në majën e Europës, pas më shumë se një dekade thatësirë, ndërsa Sevilla siguron trofeun e 5 të kësaj kategorie në po kaq finale të luajtura, duke rezultuar njëkohësisht edhe skuadra më e sukseseshme në Europë gjatë 10 viteve të fundit.