Botë
Edita Tahiri: Shqipëria dhe Kosova të diskutojnë për preshevën
20.05.2016 18:08
Qeveria e Kosovës, ka diskutuar lidhur me përgatitjet që po bëhen për mbledhjen e përbashkët me Qeverinë e Shqipërisë, që do të mbahet me 3 qershor...

Ministrja për Dialog e Kosovës, Edita Tahiri, kërkoi që kësaj radhe në këtë mbledhje të diskutohet edhe për gjendjen e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, për të cilët tha se nuk e kanë mbështetjen e duhur të dy qeverive. Ajo ka thënë se Presheva nuk duhet të lihet si jetime.
“Kësaj here në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive, të ketë një pikë për mbështetje të shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe ndoshta të iniciohet ndonjë program i përbashkët. Për shkak se prej shqiptarëve tjerë që janë në rajon, më duket se gjendja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, kërkon një mbështetje shumë më të madhe të Shqipërisë dhe Kosovës dhe një koordinim në këtë drejtim duke mos i lënë si jetim. Ne kemi këtu disa angazhime dhe atje, por për mendimin tim nuk janë të mjaftueshme. Mendoj se është koha e fundit që të bëjmë shumë më shumë për ta. Madje edhe vizitat i kemi të rralla, çoftë nga Kosova, çoftë nga Shqipëria, të mos flas për mbështetje konkrete në fusha të ndryshme”, tha Edita Tahiri, Ministre për Dialog.
