Maqedoni

Pjestarët e ARM-së dhe MM-së protestuan para qeverisë

21.05.2016 17:32

Protestojnë sindikata e mbrojtjes dhe sigurisë dhe ushtarëve profesionist. Ata thonë se janë të injoruar nga shteti...

Nga Sindikata kërkojnë barazimin e pagave dhe trajtimin njejtë si policët, por edhe rritjen ashtu siç shtojnë, të honorarëve jo adekuate që po i marrin në obligimet shtesë.
 
Sipas protestuesve honoraret në mënyrë drastike janë më të ulëta në raport me të punësuarit tjerë në administratë. 
 
“Shumë mirë e dini se në çfarë gjendje ndodhet Armata e Republikës së Maqedonisë, e dini se çfarë mjete teknike të këqija shfrytëzojmë, çfarë veshje kemi. Fitojmë 50 denarë për çdo orë të kaluar, duke mbrojtur kufirin jugor. A nuk është kjo turp? Tani të dalim në udhëkryq dhe të pastrojmë dritaret e veturave për një orë do të fitojmë më shumë para”, shprehet protestuesi. 
 
Protestuesit thonë se krahas rrogave minimale, edhe kushtet të cilat i kanë ushtarët janë të vështira, andaj sipas tyre armata është bërë për të ardhur keq.
 
“Si e para rrogat janë minimale dhe e dyta kushtet për punë janë gjithashtu minimale, ushtarët të cilët qëndrojnë në zonat kufitare në Gjevgjeli atje kushtet janë me të vërtetë të këqija”, shprehet protestuesi.
 
“Nuk ndjehemi krenar për atë apelojmë deri tek qeveria, që ta zgjedh problemin tonë”, shprehet protestuesi.
 
Ndërkohë, reaguan nga Ministria e mbrojtjes nga e cila theksuan se deri më tani disa herë janë mbajtur bisedime me sindikatat ku është theksuar se standardi në Armatë ngel si prioritet i institucioneve kompetente.
 
“Në mënyrë shtesë, me tentime të rëndësishme arritëm që ta rrisim honorarin për përfaqësuesit e Armatës të angazhuar në kufirin jugor për 30 %, që është një hap i madh para. Njëherit, paraprakisht njoftuam se në mënyrë të vazhdueshme po punojmë në përmirësimin e kushteve të punës dhe qëndrimit në kufirin jugor”, thuhet ndërmjet tjerash në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.
 
ERSAN PAJAZITI