Maqedoni
Ipçe: Diaspora shqiptare në Evropë pretendon fitore
21.03.2014 17:56
Kuvendi i Maqedonisë ka vende të rezervuara për diasporën dhe këto vende kësaj radhe do t’u takojnë kandidatëve shqiptarë për deputet...

Kuvendi i Maqedonisë ka vende të rezervuara për diasporën dhe këto vende kësaj radhe do t’u takojnë kandidatëve shqiptarë për deputet, thotë koordinatori për zonën e Evropës, Shaban Ipçe.
Në mobilizimin e diasporës janë angazhuar jo vetëm organizata dhe shoqata të ndryshme, por edhe studentët shqiptar të diasporës, njofton Ipçe, duke shtuar se studentët me kapacitet të plotë punojnë në procesin e paraqitjes për të votuar. Sipas tij, deri më tani interesimi për t’u paraqitur për të votuar është jashtëzakonisht i madh dhe këtë radhë 26 prilli do të jetë fitore për shqiptarët të cilët jetojnë dhe veprojnë në Evropë.
“Probleme teknike ka, por interesimi është jashtëzakonisht shumë i madh, shumë persona po regjistrohen edhe përmes formularëve në ambasada edhe përmes Vajberit. Interesimi është shumë i madh, por nuk e dimë cili është numri i saktë i të paraqiturve. Në Gjermani, Zvicër, por edhe në Austri, është një grup studentësh që punojnë shumë dhe e janë mobilizuar. Besojmë që deri më datën 30 do të paraqiten të gjithë dhe jemi shumë të sigurt që këtë radhë do të arrijmë që deputeti i Evropës, z. Ismail, t’i fitojë zgjedhjet”, deklaroi koordinatori për zonën e Evropës, Shaban Ipçe.
Ne nuk do të lejojmë që të na përsëritet 2011 dhe diaspora shqiptare të mbetet pa përfaqësues në Kuvendin e Maqedonisë dhe këtë herë nuk do të mund të pengohet fitorja e diasporës shqiptare, thotë koordinatori për zonën e Evropës, Shaban Ipçe. (Sanije Kasami, TVM2)
