Botë

Pasiguria po vret turizmin në Egjipt

21.05.2016 19:41

Cilido qoftë shkaku i rrëzimit të avionit të “Egypt Air”, ndikimi i tij mbi industrinë egjiptiane të turizmit nuk ka për të qenë i vogël...

Turizmi ka përbërë prej kohësh një prej shtyllave kryesore të ekonomisë së vendit. por një valë sulmesh ndaj perëndimorëve kohët e fundit dhe shtrirja e ISIS-it në Libinë fqinje, i bën pushuesit e huaj gjithmonë e më ngurrues për të vënë këmbë në Egjipt. 
 
Para rrëzimit të ish-presidentit Hosni Mubarak në 2011-tën, gjatë asaj që tani përshkruhet si “jetëshkurtra pranverë arabe”, turizmi punësonte më shume se një në 10 individë që përbënin forcën e punës në vend dhe gjeneronte 12,5 miliardë dollarë të ardhura. 
 
Asokohe, Egjipti mund të mikpriste në vit gati 15 milionë turistë të joshur mbi të gjitha nga piramidat e Kajros e resorti i Sharm el Sheikut. Tabloja tani është shumë  ndryshe. Pas rrëzimit të avionit rus tetorin e vitit të kaluar, Sharm el-Sheikh vazhdon të jetë subjekt i paralajmërimeve të Foreign Office për shmangien e çdo udhëtimi jo të domosdoshëm drejt asaj që deri vonë konsiderohej si perla turistike e Detit të Kuq.
 
Ekonomia egjiptiane me shumë gjasa do të vuajë dhe pasojat e rrëzimit të Airbusit A320. Logjika është e thjeshtë, thonë ekspertët; nëse rezulton sulm terrorist, Egjipti do të jetë një viktimë, nëse është defekt teknik, njerëzit sërish do të fajësonin egjiptianët për paaftësi e do ta kërkojnë ta anashkalojnë rrugëtimin në atë vend./Top Channel