Maqedoni

Maqedonia nuk ka implementuar padinë kushtetuese

21.03.2014 17:59

Mungesa e instrumentit të ankesës kushtetuese në Maqedoni, shkakton rritjen e lëndëve të cilat dërgohen...

Mungesa e instrumentit të ankesës kushtetuese në Maqedoni, shkakton rritjen e lëndëve të cilat dërgohen në Gjykatën për të Drejtat dhe Liritë  e Njeriut në Strasburg.
 
Sipas ekspertëve, inkorporimi i  padisë kushtetuese në sistemin jurdik do të mundësohet në bazë të ndryshimeve kushtetuese, ngase momentalisht Kushtetuta e Maqedonisë është garantuese e të drejtave dhe lirive të njeriut, por nga ana tjetër mbron vetëm tri kategori të të drejtave qytetare. 
 
“Për fat të keq, ne jemi shtet i vetëm që ende nuk e kemi implementuar padinë kushtetuese për dallim nga shtetet tjera. Të gjitha vendet anëtare të Këshillit të Evropës, anëtare të Konventës për të Drejtat e Njeriut, duhet t’i respektojnë të drejtat e qytetarëve dhe në këtë mënyrë shkeljet eventuale të të drejtave fundamentale duhet të zgjidhen në nivel shtetëror, pa pasur nevojë lëndët të barten në Strasburg”, deklaroi agjenti qeveritar në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Kostadin Bogdanov.
 
“Deri më tani ka shumë pak vendime të Gjykatës Kushtetuese, të cilat thirren në konventën dhe praktikat e Gjykatës për të Drejtat e Njeriut. Ideja është që të krijohet një instrument të cilin do të mund ta shfrytëzonin qytetarët e Maqedonisë, atëherë kur do të vlerësojnë se është shkelur e drejta, mes tjerash duhet të shërbejë si instrument që do të përcaktonte kompetencat e gjykatave”, tha hulumtuesi në Qendrën e Maqedonisë për Trajnim Evropian, Andreja Stojovski.
 
Me fuqizimin e traktatit të Lisbonës, parashihet që vendet anëtare dhe ato aspirante, në sistemin e së drejtës shtetërore të inkorporojnë edhe mekanizmin e ankesës kushtetuese, theksuan të pranishmit në debatin me temë: “ Inkorporimi i padisë kushtetuese në Maqedoni”. (Nermin Mulaku-Fejzullahu, TVM2)