Botë

Afganistan, është vrarë lideri taleban Akhtar Mansur

22.05.2016 13:02

Pentagoni ka bërë të ditur se ka kryer një sulm ajror kundër udhëheqësit të talibanëve, Mullah Akhtar Mansur, dhe një zyrtar amerikan ka thënë se Mansur, me gjasë, është vrarë...

Sekretari për media i Pentagonit, Peter Cook, ka thënë se sulmi ka ndodhur në një rajon të largët, përgjatë kufirit Afganistan-Pakistan, në orët e para të 21 majit.

Ai ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë duke analizuar rezultatet e sulmit. Por, një zyrtar amerikan, jo i autorizuar për të diskutuar operacionin publikisht, ka thënë se Mansur dhe një luftëtar tjetër mashkull me gjasë janë vrarë.

Zyrtari ka thënë se sulmi është kryer nga një dron, me të cilin ka operuar Forca e Operacioneve Speciale e SHBA-së.

Sipas këtij zyrtari, operacioni është zhvilluar në jugperëndim të qytetit Ahmad Val dhe është autorizuar nga presidenti i SHBA-së, Barack Obama.

Agjencia Associated Press ka cituar komandantin e talibanëve, Mullah Abdul Rauf, të ketë thënë se Mansur është vrarë nga një sulm i telekomanduar “në zonën kufitare Afganistan-Paksitan”.

Por vrasjen e Mullah Akhtar Mansur e kanë konfirmuar autoritetet afgane, përkatësisht shërbimi afgan I intelegjencës.

Shefi Ekzekutiv i Afganistanit, Abdullah Abdullah, ka thënë se vdekja e Mansurit do të ket ndikim pozitiv në bisedimet e ngecura të paqes midis talibanëve dhe Qeverisë afgane.

Edhe Zëdhënësi i Pentagonit, Cook, ka thënë se Mansur ka ndaluar liderët talibanë të marrin pjesë në bisedimet për paqe.