Maqedoni

BDI shpalos emrat e kandidatëve për deputet

21.03.2014 18:02

Partitë politike shqiptare, elektoratin edhe në këto zgjedhje të parakohshme parlamentare duan ta tërheqin nëpërmjet emrave tani më të njohur për votuesit...

Partitë politike shqiptare, elektoratin edhe në këto zgjedhje të parakohshme parlamentare duan ta tërheqin nëpërmjet emrave tani më të njohur për votuesit, por edhe me freskime me disa emra të rinj. 
Bashkimi Demokratik për Integrim, mbrëmë në mbledhjen e kryesisë qendrore, ka vendosur për kandidaturat për deputet.
 
Bartës i listës në njësinë e 6-të zgjedhore do të udhëhiqet nga vet kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, pas tij do të jetë ish-kryetari i komunës së Tetovës, Hazbi Lika, ministri i Mbrojtjes, Talat Xhaferi, Xhevat Ademi dhe Vjollca Mehmeti. Njësinë e 5-të zgjedhore do ta kryesojë zëvendëskryeministri, Musa Xhaferi, ndërsa pas tij do të jetë ish-kryetari i Strugës, Ramis Merko. Njësinë e 2-të zgjedhore do ta udhëheq deputeti i deritanishëm nga Likova, Rexhail Ismaili, pas tij do të jenë Shkodrane Dardhishta, Mirvan Xhemaili dhe Artan Grubi. Në njësinë e parë zgjedhore, për bartëse të listës është caktuar deputetja Ermira Mehmeti, pas saj do të radhitet drejtori i Postës, Rafis Haliti, ndërsa njësinë e 3-të zgjedhore do ta udhëheq Bexhehudin Sheapi.  
 
Nga emrat e kandidaturave të paraqitur integrist, Ali Ahmeti është përcaktuar që mandatin politik për BDI-në ta kërkojnë ish-pjesëtarët e UÇK-së.  
 
Edhe PDSH tani më ka definuar përfundimisht bartësit e listave zgjedhore. Listës  në njësinë e 6-të zgjedhore do t’i prijë vet kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi, ku pas tij radhitet Ernand Fejzullahu, Merale Ferati Uzeiri, Imer Aliu dhe Gazmend Aliu. Njësinë e 5-të zgjedhore do ta udhëheq Zija Jonuzi, njësinë e 2-të zgjedhore Orhan Ibrahimi dhe njësinë e parë zgjedhore Bekim Fazliu. 
 
Ndërsa RDK ende nuk ka vendosur përfundimisht për listën e kandidatëve të mundshëm për deputet, nga kjo parti, me kandidatët e tyre do të garojnë edhe për mandatet e diasporës. 
 
Partitë politike maqedonase gjithashtu akoma nuk kanë publikuar emrat për deputet dhe se ato po vazhdojnë kombinatorikat se kush do t`i prijë listave.  Deri më tani, në opinion nuk është folur për ndonjë listë qytetare që do të garojë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. (Afrim Tanallari, TVM2)