Botë
Shteti Islamik bën thirrje për sulme në Evropë dhe SHBA
22.05.2016 20:07
Organizata Shteti Islamik ka publikuar një audio-porosi të re, në të cilën kërkoi ndërmarrje të sulmeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Evropë...

Organizata Shteti Islamik ka publikuar një audio-porosi të re, në të cilën kërkoi ndërmarrje të sulmeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Evropë, gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, me qëllim që të mbahet lartë morali mes pjesëtarëve të kësaj organizate.
Në porosinë e publikuar në internet, zëdhënësi i Shtetit Islamik, Abu Al Adnani, tha se sulmet ajrore të koalicionit ndërkombëtarë nuk mund ta mposhtin organizatën e tij dhe nuk do ta detyrojnë atë që të tërhiqen nga Mosuli, Sirte dhe Raka, qytete këto nën kontrollin e Shtetit Islamik në Irak, Libi dhe Siri.
Ai tha se sulmet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Evropë duhet të ndërmerren gjatë muajit të Ramazanit, i cili nis në fillim të qershorit.
Ndërkohë, ushtria e Irakut ka njoftuar se është duke zhvilluar përgatitje për të ripushtuar qytetin e Falluxhës, qendër kjo e Shtetit Islamik dhe ka kërkuar nga qytetarët që të bëhen gati që të braktisin qytetin.
Familjet, të cilat nuk kanë mundësi që të largohen nga qyteti, këshillohen që të vendosin flamuj të bardhë, me qëllim që të dallohen nga militantët, kanë njoftuar burimet e ushtrisë.
Falluxha është qyteti i parë në Irak i cili ra në duar të islamistëve, në janar të vitit 2014, gjashtë muaj para se xhihadistët të pushtetin një pjesë të madhe të territorit në Irak dhe Sirinë fqinje./21Media
