Maqedoni

PDSH akuza për korrupcion ndaj Saraçinit, ky i fundit paralajmëron padi

21.03.2014 18:28

Partia Demokratike Shqiptare, vazhdon me akuzat për korrupsion ndaj zyrtarëve të lartë të BDI-së. Në pres-konferencën e sotme...

Partia Demokratike Shqiptare, vazhdon me akuzat për korrupsion ndaj zyrtarëve të lartë të BDI-së. Në pres-konferencën e sotme, Orhan Ibrahimi nga PDSH, prezantoi deklaratën e një sipërmarrësi që sipas PDSH-së ministri Saraçini e ka kushtëzuar  me të holla për kryerje të shërbimeve të caktuara nga ministria e Ekonomisë, nga njëherit thonë se ky nuk është rasti i vetëm i kushtëzimit nga ministria në fjalë.                                                                                                                    
 
“Biznesmeni thirret në zyrat e ministrisë së Ekonomisë, ku i kërkohet një shumë e madhe e të hollave që t‘i jepen në shfrytëzim koncesione për të cilat ai ka aplikuar. Është sekret publik që në ministrinë e Ekonomisë çdo shërbim ka një çmim, i cili duhet të paguhet nga palët e interesuara në qoftë se duan ndonjë leje, koncesion apo ndonjë tender. Është e habitshme që kjo situatë tolerohet me vite të tëra dhe nuk ndërmerret asgjë për të ndaluar këtë krim” deklaroi Orhan Ibrahimi nga PDSH.    
                                                             
Ndërsa ministri i Ekonomisë, Valon Sarçini, ndaj akuzave të PDSH-së u kundërpërgjigj, duke theksuar  se tani e tutje institucionet e sistemit do të merren me të gjitha akuzat paushall te dala nga ky subjekt politik.                                                                                    
 
“Unë jam plotësisht i bindur se punën që e kemi kryer tash e këto mandate 30 mujore, e kemi kryer me ndershmërinë më të madhe, e kemi kryer me sinqeritetin më të madh dhe me përgjegjësinë më të madhe. Nuk do të lejoj që në asnjë moment të njolloset emri im si Valon Saraçini, mirëpo edhe emri i askujt në ministrinë e Ekonomisë, duke e pasur parasysh se aty punojnë diku 500 punëtorë dhe secili ndjehet i ofenduar nga deklaratat e tilla paushall. Unë prej sot e tutje me ta do të merrem përmes institucioneve të sistemit, po që se kanë çfarëdo argumenti unë do te jem personi më i gëzuar, po që se ajo do të del e vërtetë në gjyq. Gjithë materialin jam duke e përgatitur dhe brenda këtyre ditëve do të dorëzohet në institucionet e sistemit”, u shpreh ministri i Ekonomisë, Valon Saraçini.
 
Ndaj akuzave të PDSH-së ka reaguar sot edhe Forumi Rinor i BDI-së, nga i cili përkujtojnë  arrestimin për korrupsion të ish-ministrit të Ekonomisë, Besnik Fetai, i cili madje u kap nga policia e një shteti fqinj, në tentimin për t’u arratisur.                        
 
“Nuk ka shqiptar që mund të mos e dijë as aferën e ryshfetmarrjes, gjithashtu të ish-ministrit të Ekonomisë, z. Fetait, i cili do të akuzohej publikisht nga zëvendësi i tij se kishte marrë në dorë as më pak e as më shumë se gjysmë milioni marka gjermane, për t’i lejuar një kompanie importin pa doganë” tha Kaltrina Azizi nga Forumi Rinor i BDI-së.
 
Në reagimin e BDI-së ndaj akuzave të PDSH-së  thuhet : Metodat e falsifikimit dhe të akuzave me dokumente paçavure, janë dhe do të mbeten e vetmja veprimtari e PDSH-së. 
Shqiptarët ende presin përgjigje për shkrimet në media se a është e vërtetë se Iljaz Halimi është kandiduar si kurban për moshapjen e dosjes “Interpromet”. 
 
Nga ana tjetër, BDI është e vendosur të zhvillojë betejën zgjedhore me mjete politike, me një fushatë argumentimi dhe afirmative, gjithnjë në interes të qytetarëve shqiptarë”. (Zejxhane Osmani, TVM2)