Maqedoni

Kontrolle mjekësore pa pagesë në Çair

21.03.2014 18:33

Shtëpia e Shëndetit në Shkup, organizoi fushatë për kontrolle të përgjithshme mjekësore pa pagesë...

Shtëpia e Shëndetit në Shkup, organizoi fushatë për kontrolle të përgjithshme mjekësore pa pagesë, që mbahen një herë në vit në të gjitha komunat e Shkupit. Kjo u jep mundësi qytetarëve që të bëjnë kontrolle dhe të shohin gjendjen e tyre shëndetësore, thekson mjekja Spasija Bashevska. 
 
“Gjatë këtij kontrolli, qytetarët kanë mundësi të bëjnë matjen e tensionit, matjen e sheqerit, si dhe yndyrës, gjatësinë dhe peshën dhe qytetarët janë shumë të kënaqur, ka interes të mjaftueshëm të qytetarëve. Gjithashtu ne ju japim edhe këshilla se si më mirë të kujdesen për shëndetin e tyre”, u shpreh pediatrja, Spasija Bashevska.
 
Edhe qytetarët e anketuar shprehen të kënaqur për këtë shërbim shëndetësor pa pagesë.
 
“Po shumë mirë, është një ndihmë e qytetarëve që ta shohin se deri ku e kanë tensionin dhe gjendjen shëndetësore”, u shpreh një qytetare.
 
“Mendoj se kjo është një gjë shumë e mirë, sepse ndonjëherë nuk kemi shumë kohë nga obligimet që t’i kushtojmë vetes rëndësi, ndërsa kjo papritur na gëzon shumë dhe mendoj se duhet më shpesh të bëhen fushata të tilla”, tha një qytetar.
 
“Duhet të ketë kontrolle për ne shqiptarët, ne prej përtesës nuk shkojmë në mjek”, u shpreh një qytetare.
 
Pas kontrolleve, mjekët i këshillojnë qytetarët që të kujdesen për shëndetin dhe u caktojnë ndonjë terapi sipas nevojës. (Vlora Latifi-Topojani, TVM2)