Botë
Irak, operacion ushtarak për të rimarrë Falluxhën
23.05.2016 12:35
Qeveria e Irakut nis sot një operacion ushtarak për të rimarrë provincën e Falluxhës, e cila që prej vitit 2014 kontrrollohet nga militantët e Shtetit Islamik...

Lajmi u komunikua nga Kryeministri i vendit, Haider al-Abadi, gjatë një konference të mbajtur për mediat me praninë e përfaqësuesve më të lartë të ushtrisë.
“Erdhi ora zero për clirimin e Falluxhas. Erdhi momenti historik I fitores së madhe dhe ISIS nuk ka alternativë tjetër vecse të dorëzohet . Në aksion janë përfshirë ushtria , policia, forcat antiterrorizëm, luftëtarët e grupeve lokale shumica e të cilëve janë muslimanë Shiite”, tha Haider Al-Abadi, kryeministër i Irakut.
Zyrtarët kanë paralajmëruar civilët që të largohen nga qyteti. Familjet që do t’a ketë të pamundur të largohen, duhet që të vendosin një flamur të bardhë mbi shtëpitë e tyre.
Përfaqësuesit e qeverisë bënë me dije se qytetarët që do të tentojnë të largohen do të kenë mbështetjen e ushtrisë për t’a bërë një gjë të tillë.
Megjithatë, një gjë e tillë u vu në dyshim vetëm pak pas lajmërimit. Mediat ndërkombëtare raportuan se afro 20 familje u munduan që të largohen nga shtëpitë e tyre, por vetëm gjysma i’a doli që të shpëtojë.
Pjesa tjetër ra në duart e ekstremistëve të Shtetit Islamik ose u godit nga eksplozivët e vendosur në rrugë.
Për të kryer këtë operacion, qeveria ka angazhuar policinë dhe ushtrinë, ndërkohë që bëhet me dije se aksionit i janë bashkuar edhe mijëra luftëtare vullnetarë.
Ekpertët e ushtrisë amerikanë kanë deklaruar se ndërhyrja ushtarake do të jetë disi e vështirë, pasi në Falluxha jetojnë afro 90.000 banorë.
Ky qytet është një prej bastioneve kryesore të Shtetit Islamik në Irak.
GAZMEND REXHEPI
