Botë

Hashim Thaçi: Procesi i liberalizimit të vizave , nuk rrezikohet

23.05.2016 14:37

Asnjë interes i adresave të caktuara politike nuk do të mund të tejkalojë interesin madhor për liberalizim të vizave...

Kështu deklaroi presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duke u shprehur i bindur se askush dhe asgjë nuk do të rrezikojë procesin e liberalizimit të vizave.
 
Thaçi tha se Kosova i njeh obligimet e veta, dhe se proceset aktuale do të përmbyllën në kohë. Presidenti tha se edhe Kosova edhe Mali i Zi kanë interes të përmbyllin sa më shpejtë çështjen e demarkacionit.
 
Sipas tij, çështje të tilla nuk duhet të ndajnë, por të bashkojnë spektrin politik.
 
“Askush me asnjë agjendë ditore nuk do të mund ta cenojë dhe rrezikojë procesin e liberalizimit të vizave. Asnjë interes i adresave të caktuara politike nuk do të mund të tejkalojë interesin madhor, së pari vullnetin madhor të qytetarëve të Kosovës, interesin tonë të përbashkët dhe qëllimin dhe vizionin tonë evropian për liberalizim të vizave. Nuk ka çështje që do të mund ta sfidojë procesin e liberalizimit të vizave. Kosova i njeh obligimet e veta dhe këto procese do të përmbyllen me kohë. Edhe çështja e demarkacionin është në interes te të dy vendeve të përmbyllet sa më shpejt. Është në interesin e të gjithë spektrit politik dhe qytetar. Kjo çështje nuk duhet të ndajë spektrin politik, përkundrazi e ardhmja evropiane duhet të bashkojë spektrin politik dhe qytetar, dhe kështu do të ndodhë”, theksoi Thaçi.