Durant-Westbrook, Oklahoma mposht kampionët në finalen e tretë
Oklahoma ka fituar dje 133-105 ndaj Golden State në finalen e tretë të play off-it në Konferencën e Perëndimit, duke udhëhequr 2-1 serinë e ndeshjeve...
Thunder luajtën në fushën e tyre dhe e shfrytëzuan më së miri këtë faktor, duke dominuar në parket dhe e merituan fitoren. Perioda e dytë ishte ajo që vulosi suksesin e skuadrës vendase, duke realizuar dyfishin e pikëve të skuadrës mike, që dje luajti dobët në mbrojtje.
Mbrëmje magjike për dyshen Durant-Westbrook, që ashtu si gjithnjë bënë diferencën në fushë. I pari realizoi 33 pikë, mbështetur nga Westbrook me 30 pikë e 12 asist, një dyshe që mund t’i dhurojë Oklahomës titullin kampion në Perëndim.
Për Golden State u dallua Stephen Curry me 24 pikë, por i pambështetur sa duhet nga shokët e skuadrës edhe pse Thompson realizoi 18 pikë. Edhe finalja e katërt do të luhet në Oklahoma.