Botë
Van der Belen u zgjodh president i ri i Austrisë
23.05.2016 21:11
Kandidati i pavarur, i mbështetur nga Partia e të gjelbërve, Aleksander Van der Belen fitoi në rrethin e djeshëm të dytë të zgjedhjeve presidenciale në Austri...

Kandidati i pavarur, i mbështetur nga Partia e të gjelbërve, Aleksander Van der Belen fitoi në rrethin e djeshëm të dytë të zgjedhjeve presidenciale në Austri, kumtuan mediumet austriake.
Sipas rezultateve ende jozyrtare, Van der Belen, i cili është ish-lider shumëvjeçar i Partisë së të gjelbërve, fitoi 51,93 për qind të votave, ndërsa kundërkandidati i tij, Norbert Hofer nga partia austriake ekstreme djathtiste e Lirisë (FPO) mori 48,07 për qind.
Këto ishin zgjedhjet më të paqarta presidenciale në historinë e vendit, sepse fituesi është marrë madje pasi që janë numëruar edhe votat e atyre austriakëve të cilët votuan përmes postës, numri i përgjithshëm i të cilëve ishte 885.437.
DPA lajmëroi se ende para shpalljes së rezultateve zgjedhore, Hofer e pranoi disfatën dhe Belenit ia uroi fitoren përmes Fejsbukut.
Hofer njëherit iu falënderua atyre që votuan për të, duke shtuar se "fushata parazgjedhore ishte investim për të ardhmen".
Van der Belen duhet ta marrë detyrën e presidentit më 8 korrik, për kur është caktuar ceremonia solemne e dhënies së betimit.
Këto zgjedhje presidenciale në Austri, vlerësohen si goditje e madhe për dy partitë më të mëdha të vendit, të cilat e përbëjnë edhe koalicionin qeveritar - Partia socialdemokrate e Austrisë (SPO) dhe partia demokristiane popullore austriake (OVP), kandidatët e të cilave në rrethin e parë të zgjedhjeve presidenciale para një muaji i fituan vendin e katërt dhe të pestë.
Pas rezultateve të këtilla zgjedhore nga rrethi i parë, në fillim të muajit kancelari socialdemokrat Verner Fajman dha dorëheqje.
