Maqedoni

Ivanov për “Frankfurter Algemajne Cajtung”: Atmosferën e konfliktit, e ndezi PSP

24.05.2016 12:28

Gazeta “Frankfurter Algemajne Cajtung” i ka kushtuar një tekst të hollësishëm Maqedonisë...

Në një artikull të titulluar “Tre engjëjt e Çarlit”, janë përshkruar të gjitha ecuritë politike, prej te publikimi i ‘bombave’ nga opozita, Marrëveshja e Përzhinës, protestat e  qytetarëve, puna e Prokurorisë Speciale Publike dhe obstruksionet ndaj saj, si dhe kontesti i emrit me Greqinë.  
 
Pjesë e tekstit është edhe vendimi i presidentit Ivanov, i cili më 12 prill të këtij viti i fali 56 politikanë dhe bashkëpunëtor të tyre që janë nën hetime nga PSP.
 
Në pyetjen nëse kohët do të ktheheshin pas, a do ta sillte edhe një herë të njejtin vendim, Ivanov është përgjigjur “Po!” Sipas  kreut të shtetit atmosfera e konflikteve është si pasojë e Prokurorisë Speciale Publike e cila sipas tij, nuk e kryen punën në mënyrë profesionale, por punon në mënyrë selektive duke i hetuar vetëm anëtarët e partisë në pushtet, gjegjësisht VMRO-DPMNE-së. 
 
“Kjo atmosferë e konfliktit është vepër e Prokurorisë Speciale. PSP, heton në mënyrë selektive dhe vetëm kundër partisë në pushtet. Opozita nuk ka arritur që të fitojë në zgjedhje, prandaj tani dëshiron të vijë në pushtet në mënyrë tjetër”, vlerëson Ivanov. 
 
Opozita nuk ka arritur të fitojë në zgjedhje, tani po tenton të vij në pushtet në mënyra të ndryshme ka vazhduar akuzat Ivanov.
 
Sipas tij, kriza politike në Maqedoni nuk është asgjë e re, por është vetëm një kapitull i tregimit i cili zgjat më shumë se 100 vjet.
 
MERITA GASHI