Maqedoni

Fillon evakuimi i kampit të Idomenit

24.05.2016 12:32

Greqia ka nisur evakuimin e mijëra emigrantëve të bllokuar në kampin provizor të Idomenit, në kufirin me Maqedoninë...

Autobusët e parë me refugjatë janë larguar prej orëve të para të mëngjesit, ndërsa operacioni vazhdon pa probleme.
 
Forca të shumta policore që kanë mbërritur të hënën në mbrëmje ndodhen në kamp dhe kanë filluar me anë të përkthyesve të ndihmojnë fillimisht evakuimin e familjeve me fëmijë të vegjël që ndodhen në çadrat provizore të kampit, duke u kujdesur që të lirojnë njëkohësisht dhe linjën hekurudhore mes dy shteteve, që vazhdon të jetë e bllokuar për mëse dy muaj.
 
Deri tani nuk ka pasur kundërshtime nga ana e refugjatëve dhe një pjesë e mirë e tyre tashmë shohin se është pa kuptim qëndrimi në këtë kamp provizor, në kushte tepër të vështira, pasi edhe shpresat për hapjen e kufirit janë venitur.
 
Por ende ka një numër të konsiderueshëm të cilët nuk duan të largohen. Evakuimi do të vazhdojë të paktën një javë dhe nuk do të përdoret forca.
 
Vendimi i qeverisë greke për evakuimin e Idomenit është pritur pozitivisht edhe nga Komision Europian.