Botë
Stamboll, mbi 125 krerë shtetesh diskutojnë mbi migrimin
24.05.2016 16:08
Mbi 125 krerë shtetesh dhe qeverish së bashku me përfaqësues të Kombeve të Bashkuara në Stamboll të Turqisë...

Mbi 125 krerë shtetesh dhe qeverish së bashku me përfaqësues të Kombeve të Bashkuara në Stamboll të Turqisë, deri të merkurën do të diskutojnë për krizën e emigrantëve në Evropë.
Takimi është paraparë të shërbejë si këmbanë alarmi për t’u marrë me katastrofat dhe zbutjen e ekspozimit të vendeve në zhvillim. Kancelarja gjermane, Angela Merkel bëri thirrje për konsolidimin e konsensusit global për parimet humanitare, ndërsa sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon u bëri thirrje të pranishmëve që të ndihmojnë njerëzit në nevojë për një shans dhe për një të ardhme më të mirë.
“Si asnjëherë më parë ka nevojë për veprime humanitare globale. Në botë ndodhen 130 milionë persona në nevojë për të mbijetuar ku dhe këto nevoja janë rritur në masa të paparë ndonjëherë më parë pas Luftës së Dytë Botërore. Ne ndajmë vetëm humanizmin dhe përgjegjësitë e përbashkëta. Ne duhet të kalojmë në veprim sa më parë jo vetëm për të mbajtur në jetë njerëzit, por në të njëjtën kohë ti ofrojmë atyre një mundësi për një jetë më dinjitoze”, shprehet sekretari i përgjitshhëm i OKB-së, Ban Ki-Moon.
“Shumë shpesh jepen premtime për donacione, por të hollat për realizimin e projekteve nuk arrijnë në vendin për të cilët është dedikuar. Kjo duhet të ndalet. Në Siri dhe në vende të tjera bombardohen spitale dhe qendra mjekësore ku vdesin edhe njerëz”, shprehet kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel.
Edhe presidenti turk Rexhep Taip Erdogan u bëri thirrje vendeve pjesamrrëse që të punojnë së bashku për të zgjidhur problemin.
Turqia aktualisht strehon 2.7 milionë refugjatë të konfliktit të Sirisë.
Takimi i Stambollit ka si objektiv zhvillimin e masave më efektive për atë që OKB-ja e ka quajtur gjendjen më të keqe humanitare globale që nga Lufta e Dytë Botërore.
Synimi është që konferenca të mobilizojë mbledhjen e fondeve dhe që udhëheqësit të bien dakord për çështje nga marrja e masave për civilët e shpërngulur, e deri tek rikonfirmimi i angazhimit për të respektuar ligjin ndërkombëtar.
Por skeptikët kanë shprehur shqetësimin se takimi nuk do të sjellë shumë rezultate konkrete.
GAZMEND KURTISHI
