Futboll
Cana dhe Cikalleshi: Jemi optimistë
24.05.2016 18:28
Që prej të dielës, “Kuqezinjtë” janë vendosur në Bad Waltersdorf në Austri për fazën përgatitore për Europianin francez...

Në konferencën e parë për shtyp nga Austria, kapiteni i kombëtares, Lorik Cana foli për fazën përgatitore, sfidën më të rëndësishme dhe kundërshtarin më të fortë.
Cana thotë që pjesëmarrja në këtë event kaq të rëndësishëm bën krenarë jo vetëm futbollistët, por të gjithë shqiptarët. Ai shpreh bindjen në një përfaqësim dinjitoz.
“Jemi rritur shumë dhe niveli i futbollit tonë është rritur. Sot ka shumë talente shqiptare dhe ne kemi dëshirën që të kemi akoma më shumë talente si nga Shqipëria ashtu edhe nga Kosova. Ndeshja e parë është më e rëndësishmja dhe ajo e para është që ne jemi përqendruar me një kundërshtar të vështirë. Ne jemi rritur dhe ajo përballje do të jetë ndeshja më e rëndësishme e kompeticionit tonë”, shton kapiteni “kuqezi”.
Ndërkohë, për mediat është prononcuar edhe bombieri I kombëtares, Sokol Cikalleshi, I cili njihet njeriu i shtyllave, pasi në shumë sfida goli nuk ka ardhur për cështje centimetrash.
Megjithatë sezoni i bomberit kavajas u mbyll në mënyrën më të mirë të mundshme, një gol në sekondat e fundit që bëri të qajë tifozerinë rivale.
26-vjecari i ngacmuar në konferencën për shtyp shpreson që shqiptarëve ti dhurojë lotë gëzimi duke nisur që nga sfida hapëse.
“Do të jetë një kënaqësi nëse do të ndodhë që ti bëj shqiptarët të qajnë nga gëzimi. Shpresoj që ndeshjen me Zvicrën ta fillonim me këmbën e mbarë. Ne i marim ndeshjet një e nga një dhe do të jetë Zvicra sfida më e lehtë, pasi një fitore do të jetë ogur i mirë për kalimin e grupit. Jam krenar që jam pjesë e këtij brezi që realizuam ëndrrën e shqiptarëve. Nuk ngel gjë tjetër vetëm të shohim përpara dhe të shpresojmë nga kalimi i grupit”.
Ndryshe, në ditën e dytë të stërvitjeve të kombëtares në Austri, ekipit iu bashkua edhe Ledian Memushaj, që u paraqit në rezidencën e skuadrës gjatë mbrëmjes të së hënës.
