Futboll

Xhaka prezantohet te Arsenali

25.05.2016 16:51

Granit Xhaka është një futbollist i Arsenalit. Klubi anglez ka zyrtarizuar marrëveshjen me mesfushorin, i cili ka firmosur një kontratë pesëvjeçare me “topçinjtë”...

Xhaka ka nënshkruar kontratën e re nga e cila do të përfitojë 110 mijë paund në javë, pasi kaloi testet mjekësore pak ditë më parë në Londër.
 
Arsenali i ka paguar 35 milion paund klubit të Borusia Monchengladbah për kartonin e futbollistit. 
 
“Granit Xhaka është një lojtar i ri mjaft entuziazmues, i cili ka që tani shumë eksperiencë si në Bundesligë, ashtu edhe në Ligën e Kampioneve”, ishin fjalët e trajnerit të Arsenalit, Arsen Venger, pas zyrtarizimit të marrëveshjes, duke vazhduar.
 
“E kemi ndjekur prej shumë kohësh dhe tani ai është një futbollist i cili do t’i shtojë cilësi ekipit tonë, Ne i urojmë Granitit një Euro 2016 sa më të mirë me Zvicrën dhe presim me padurim që t’i bashkohet Arsenalit për sezonin e ardhshëm”, shtoi trajneri francez.
 
Nga ana tjetër, menjëherë pas zyrtarizimit, futbollisti shqiptar është shprehur I lumtur që iu dha mundësia të jetë pjesë e një prej ekipeve më të famshme në botë.
 
“Jam shumë i lumtur që jam këtu. Një ëndërr që më është bërë realite. Mbaj mend kur isha i ri lojën e parë që e kam parë ishte e Ligës Premier. Kjo ishte një ëndërr e madhe për mua dhe tani jam këtu. Jam shumë, shumë i lumtur”, është shprehur Xhaka. 
 
Ndryshe, Granit Xhaka u bë transferimi i dytë më i shtrenjtë në historinë e klubit të Arsenalit, ku rekordin e mban kalimi i Mesut Ozil nga Real Madrid me 42,5 milionë paund.