Idomeni, vazhdon zhvendosja e refugjatëve; Tusk: Solidaritet global ndaj krizës me migrantët

26.05.2016 12:14

Në Idomeni vazhdon operacioni për zhvendosjen e refugjatëve dhe emigrantëve nga kampi i improvizuar...

Autoritetet greke kumtuan se më shumë se tre mijë refugjatë deri më tani pa probleme janë  zhvendosur me autobusë në qendra të reja për vendosje në veri të Greqisë.

Qëllimi i autoriteteve është që urgjentisht të lirohet hekurudha Greqi-Maqedoni e cila është bllokuar tani më 70 ditë, ndërsa humbjet e hekurudhës greke vlerësohen në rreth 2,5 milionë euro.

Nga samiti I G& që po mbahet në Japoni , Kryetari i Këshillit Evropian Donald Tusk deklaroi se do të dëshironte që bashkësia botërore të shfaqë solidaritet ndaj krizës së refugjatëve dhe ta pranojë si problem global.

"Jemi në dijeni se për shkak të gjeografisë, pjesa më e madhe e obligimeve në lidhje me krizën e refugjatëve merren dhe do të ndërmerren nga Evropa. Nëse ne, G-7, nuk qëndrojmë në krye të përpjekjeve për menaxhimin e kësaj krize, askush nuk do ta bëjë këtë" – tha kryetari i këshillit evropian, Donald Tusk.

Kampi në Idomeni shërbente vitin e kaluar si pikë tranziti për refugjatët që vinin me varka përmes Detit Mesdhe.

Fillimisht Maqedonia i lejonte refugjatët që vinin nga Greqia të kalonin me tren me një vizë tranziti triditore deri në kufirin me Serbinë. Prej aty refugjatët donin të shkonin në Hungari dhe të hynin në BE. Por kur numri i azilantëve u shtua,  Maqedonia shpalli më 20 gusht 2015 gjendjen e jashtëzakonshme dhe ngriti një gardh për të mbrojtur kufirin.

Nga 15.000 vetë numri i refugjatëve në kampin e Idomenit arriti në 6000 e më pas në 14.000.

Gjendja në këtë kamp ishte që në fillim e keqe, por më pas u bë katastrofale. Mungonin tualetet dhe përkujdesja mjekësore, ushqimi qe i pakët dhe deficitet e mëdha mundën të përballoheshin vetëm prej ndihmës së popullsisë dhe ndihmave të organizatave ndërkombëtare.

Refugjatët shpresojnë se në kampet zyrtare, në të cilat po i dergojnë, gjendja do të jetë më e mirë. (Belinda Koka – Ademi, TVM2)