Maqedoni

TV “Telma” largon 12 të punësuar

26.05.2016 13:02

Televizioni Telma ka puhsuar nga puna 12 të punësuar, duke i konsideruar si tepricë teknologjike...

 Në mesin e tyre janë edhe emra të njohur të gazetarëve si Panta Xhambazovski, Emilija Llazarovska, Tomisllav Osmanli, Violeta Zajkova, Sonja Nikollovska, Juliana Lefkovska – Peshevska dhe të punësuar të tjerë në redaksinë informative, kulturore dhe zbavitëse të televizionit.
 
Ata nuk kanë marrë kurrëfarë arsyetime se pse është sjellur një vendim i tillë, por me shkresë janë njoftuar se ata do të largohen nga puna që të zvogëlohen harxhimet.
 
Një nga 12 gazetarët e shkarkuar Emilija Llazarevska ka thënë se duke pasur parasysh se nuk është shkarkuar asnjë nga kuadrot e reja në television, sipas saj është mesa e qartë se ka tentim për të pastruar vetëm gazetarët me përvojë.
 
“Arsyetimi është se në tre muajt e parë të vitit, televizioni ka treguar humbje më të madhe që nga hapja. A jemi ne fajtor për këtë? Thonë se po bëhet sistematizim i kuadrit, por në dy vitet e fundit në vazhdimësi pranohen njerëz të ri. A janë ato më profesionist se ne, se un, a janë më profesionist nga Jule, nga Zajkova, nga Panta? Jo. E po atëherë cili është kriteri? Për fat të keq kjo është goditja e fundit ndaj gazetarisë profesionale.” ka deklaruar gazetarja Emilija Llazarevska për portalin PlusInfo. 
 
Pas reagimeve të shumta rreth zhvillimeve të fundit në TV Telma, televizioni në fjalë jep sqarime për pushimin nga puna të 12 të punësuarve.
 
Në njoftim thuhet se ky televizion është një medium i pavarur që ka përmirësuar rezultatet finansiare, por që vazhdon të punojë në humbje. “Përveç rritjes së të ardhurave, televizioni është i detyruar të bëjë edhe racionalizim të harxhimeve.
 
Duke i kuptuar motivet kolegiale të disa redaksive, TV Telma mendon se nuk është në rregull që dikush të merr të drejtën dhe të komentoj të drejtat legjitime për sistematizim të brendshëm dhe racionalizim të harxhimeve, sidomos duke e konsideruar si jokorrekte publikimin e informacioneve të pasakta për gjoja heqje të qëllimshme nga puna të 12 gazetarëve.”
 
Ky televizion konsideron se ndërlidhja e rastit me çështje politike dhe ideologjike është jasht çdo mendimi të shëndoshë.
 
Sindikata e të punësuarve në “Telma” është takuar me udhëheqësinë e televizionit që të merr informata më të detajizuara lidhur me vendimin. Dy prej 12 gazetarëve të pushuar u është ofruar të transferohen në pozita tjera, ndërsa për 10 të tjerët sindikata dhe drejtori i televizionit Atanas Kirovski janë marrë vesh që të angazhohen për gjetjen e një zgjidhjeje.
 
Në reagimin e SPGPM, thuhet se sindiukata do të jetë gjithnjë në mbështetje të kolegëve të Tv Telmës.                                                                                                                          
 
“Sindikatata i bën thirrje udhëheqësisës së televizionit që të gjendet një model, që të gjithë kolegët të mbeten në punë. Sindikati bën të ditur se paraprakisht nuk kanë qenë të informuar për vendimin dhe se nuk do të qëndrojnë anash procesit për mbrojtjen e të drejtave të anëtarëve të tyre në Tv Telma”, thuhet në reagimin e sindikatës  së pavarur të gazetarëve dhe punëtorëve medial.
 
Lidhur me këtë rast ka reaguar edhe LSDM-ja opozitare, e cila ka shprehur shqetsimin e sajë për pushimin nga puna.
 
 
ERSAN PAJAZITI