Futboll
Sulmuesit Balaj dhe Gashi: Besojmë te vetja, trajneri vendos kush do luaj
26.05.2016 16:35
Ditën e katërt të përgatitjeve të Shqipërisë, për pjesëmarrjen historike në EURO 2016, ekipit iu bashkangjitën edhe katër lojtarë, kampionët e Zvicrë...

Ditën e katërt të përgatitjeve të Shqipërisë, për pjesëmarrjen historike në EURO 2016, ekipit iu bashkangjitën edhe katër lojtarë, kampionët e Zvicrës, Taulant Xhaka dhe Naser Aliji, më pas, Armando Sadiku i Cyrihut, si dhe Ansi Agolli, I cili gjatë ditës së djeshme, luajti në finalen e kupës në Azerbajxhan.
Gjatë ditës së sotme, rradha që të flasin para mediave, ishte për sulmuesit Bekim Balaj dhe Shkëlzen Gashi.
Sipas sulmuesit shtatëlartë, që ka veshur 13 herë fanellën e përfaqësueses, gjëja më e rëndësishme është që kombëtarja të vazhdojë të aplikojë stilin e saj të lojës, pa menduar aq shumë rreth emrave që do të ketë përballë.
“Po t’i marrim me radhë emrat e kundërshtarëve në grup, nuk diskutohet që veçohet Franca, pasi ka emra të mëdhenj që luajnë në repartin e mbrojtjes. Por nuk ka rëndësi aq shumë kundërshtari, jemi të përqendruar te vetja dhe nëse bëjmë ndeshje të mira, japim maksimumin, kemi treguar që çdo kundërshtar e vëmë në vështirësi”, tha Balaj.
Sulmuesi tjetër i kombëtares, Shkëlzen Gashi, u shpreh I lumtur që është pjesë e ekipit që po bënë historinë dhe do të luaj në Francë.
Në një rreshtim si ai i Shqipërisë, ku luan vetëm një qendërsulmues, hapësirat për futbollistët me tipare ofensive janë të kufizuara. Gashi bëri të qartë se të gjithë duhet ta pranojnë pankinën, pasi ekipi vjen para egos personale.
“Trajneri vendos formacionin dhe të gjithë ata që luajnë duhet të japin maksimumin. Se kush luan, nuk është detyra jonë ta zgjedhim, është e trajnerit dhe ne duhet ta pranojmë. Me sistemin që kemi luajtur, kemi arritur kualifikimin, po ecim mirë në këtë mënyrë”, deklaroi Gashi.
Ekipi i Shqipërisë, edhe ditën e sotme e ka vazhduar duke mbajtur dy seanca stërvitore, nga një paradite dhe pasdite.
