Botë
Në konfliktin në Siri kanë humbur jetën mbi 280.000 persona
26.05.2016 21:00
Nga fillimi i konfliktit në Siri para pesë viteve, deri tani, jetën në këtë vend të Lindjes së afërt e kanë humbur mbi 280.000 persona, kumtoi sot Qendra siriane për monitorimin e të drejtave të njeriut...

Kjo organizatë opozitare me seli në Londër, informon se sipas bilancit të saj të viktimave, në konfliktin në Siri kanë humbur jetën 282.283 persona, prej të cilëve 81.436 ishin civilë.
Mes civilëve të vrarë ka pasur edhe 14.040 fëmijë dhe 9.106 gra.
Si luftëtarë të grupeve të ndryshme kryengritëse, kanë humbur jetën 48.586 persona, ndërsa edhe 47.095 njerëz i kanë humbur jetën duke luftuar në rradhët e xhihadistëve, mes të cilëve ka edhe shtetas sirian, por edhe të huaj.
Forcat lojale të presidentit Bashar al Asad kanë humbur 101.662 luftëtarë, prej të cilëve 56.609 janë pjesëtarë të Armatës së rregullt.
Mes të vdekurve janë edhe 3.500 persona, identiteti i të cilëve nuk është konfirmuar.
Ky është bilanci i parë përmbledhës i viktimave të luftës në Siri pas shpalljes së ndërprerjes së pjesërishme të zjarrit më 27 shkurt të këtij viti.
Sipas të dhënave të Qendrës, nga fillimi i armëpushimit të pjesërishëm, numri i viktimave në mënyrë drastike është zvogëluar.
