Ekspozitë kushtuar 80-vjetorit të lindjes së Adem Demaçit
Galeria Kombëtare e Maqedonisë në kuadër të kremtimeve për Vitin kushtuar, Adem Demaçit...

Galeria Kombëtare e Maqedonisë në kuadër të kremtimeve për Vitin kushtuar, Adem Demaçit në 80-vjetorin e lindjes me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës "Pjetër Bogdani" sot organizojnë, ekspozitë kushtuar 80-vjetorit të lindjes së veprimtarit të shquar shqiptar dhe simbolit të rezistencës kombëtare, Adem Demaçi.
Hapja do të mbahet në Galerinë Kombëtare të Maqedonisë, në objektin e Çifte Hamamit. Fotografitë nga Ekspozita “Adem Demaçi - Jeta dhe veprimtaria atdhetare e kulturore”, do të mund të vizitohen përgjatë një jave.
Kjo ekspozitë është organizuar nga Shoqata e të Burgosurve të Kosovës, Biblioteka Kombëtare e Kosovës "Pjetër Bogdani", Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe Instituti i Historisë "Ali Hadri".
Demaçi shquhet për aktivitetin e tij politik kundër regjimit jugosllav, për çka ishte mbajtur 28 vjet në burgjet e Jugosllavisë.
Në vitin 1991, Parlamenti Evropian e nderoi me çmimin Saharov, duke e radhitur në mesin e personaliteteve të njohura botërore, gjurmët e të cilit do të mbesin në histori.
Më së miri, Demaçi njihet si udhëheqës i Këshillit për të Drejtat dhe Liritë e Njeriut nga viti 1990 deri në vitin 1995 dhe si zëdhënës i UÇK-së gjatë periudhës 1998/1999. (mia.mk)
