Milano konfiskohet droga, nën pranga 38 persona, ka edhe shqiptarë

27.05.2016 12:18

Nga të arrestuarit 31 janë shtetas shqiptarë, 5 janë marokenë dhe 2 tunizianë....

Policia e Milanos në Itali ka shkatërruar një rrjet të trafikut ndërkombëtar të drogës mes Italisë, Spanjës dhe Shqipërisë, duke arrestuar edhe 38 persona.

Nga të arrestuarit 31 janë shtetas shqiptarë, 5 janë marokenë dhe 2 tunizianë.

Mediat italiane raportojnë se gjatë operacionit u sekuestruan 130 kg drogë të llojit heroinë dhe kokainë.

Po ashtu të arrestuarve iu kapën edhe 300 mijë euro. Operacioni u krye nga policia e komandës provinciale në Milano në bashkëpunim me policinë e Shqipërisë, Gjermanisë dhe Spanjës, të koordinuar nga Drejtoria Qendrore për shërbimet e anti-drogë.

Mediat italiane shkruajnë se hetimet kanë filluar që në vitin 2014, ku është zbuluar edhe ekzistenca e një grupi kriminal, që kishte degët e saj në Italinë Veriore dhe Shqipëri dhe ku importohej sasi e madhe e heroinës dhe kokainës.

Policia ka mundur të identifikojë furnizuesit shqiptarë të drogës dhe korrierët e tyre, të cilët mbanin drogën në makina që i kishin modifikuar posaçërisht për transport. Transport i parave kryhej me anë të kamionëve apo me autobuza të linjës Itali- Shqipëri.