Anulohet gjykimi i të akuzuarve për "Lagjen e trimave"

27.05.2016 12:49

Procesi gjyqësor kundër të akuzuarve për terrorizëm për rastin "Lagjja e trimave" është anuluar, sepse gjykatësja që e udhëheq lëndën Verka Petkovska është në pushim mjekësor. Seanca e re gjyqësore është caktuar për më 31 maj...

Gjykimi është dashur të vazhdohet sot në sallën e madhe të Gjykatës Supreme, sepse në Gjykatën Themelore Shkupi 1 nuk ka kushte hapësinore dhe të sigurisë për mbajtjen e gjykimit në të cilin ka një numër të madh të të akuzuarve.

Gjykata në fillim të këtij  muaji solli vendim që me këtë lëndë ta bashkojë procedurën me rastin "Vetëtima", gjegjësisht me anëtarët e logjistikës, të cilët u arrestuan para disa muajve. Për ngjarjet nga "Lagjja e trimave" janë akuzuar 29 persona, ndërsa si anëtarë të logjistikës tetë persona.

Më 9 dhe 10 maj të vitit 2015 në Lagjen e trimave të Kumanovës grupi i armatosur u përlesh me forcat e sigurimit. Gjatë këmbim-zjarrit e humbën jetën tetë policë nga njësitet speciale dhe të veçanta të MPB-së, përderisa rreth katërmbëdhjetë u plagosën rëndë. Janë vrarë edhe dhjetë persona të grupit të armatosur.