Maqedoni

Danielson, Ivanov të tërheq faljen PSP të lejohet të punojë

27.05.2016 17:18

Kriza politike ka sjellur në Maqedoni edhe Drejtorin e drejtorisë për Zgjerim pranë BE-së Kristijan Danielson...

Kriza politike ka sjellur në Maqedoni edhe Drejtorin e drejtorisë për Zgjerim pranë BE-së Kristijan Danielson, i cili ka takuar liderët e katër partive më të mëdha politike në vend.

Danielson me këtë rast kërkoi që urgjentisht të tërhiqet vendimi i presidentit për faljen dhe ti lejohet prokurorisë speciale që pa pengesa të bëjë punën e saj.                              

"Është parësore që faljet e presidentit Ivanov të shfuqizohen. Në një vend kandidat për në Bashkimin Evropian, për të gjithë duhet të ketë trajtim të njëjtë dhe të barabartë përpara ligjit. Tashmë që ka mundësi ligjore që kjo të ndodhë, unë mbetem shumë I shqetësuar që akoma nuk është ndërmarrë asgjë. Nuk mund të ketë mosndëshkim ose drejtësi selective. Prokuroria Speciale dhe ekipet e saj duhet të lejohen që të bëjnë punën e tyre. Kjo është esenciale që të sigurohet përgjegjësia dhe të instalohet besimi në rolin e ligjit dhe qytetarët të besojnë në sistemin e drejtësisë”, shprehet Kristijan Danielson - Drejtori i drejtorisë për Zgjerim i BE-së.                                                           

Poashtu sa u përket zgjedhjeve, Danielson tha se puna duhet të vazhdojë të jetë e fokusuar në çështjet që kanë të bëjnë me listën e zgjedhësve, mbulimin e balancuar të mediave, parandalimin e frikësimit të votuesve dhe ndarjen e aktiviteteve partiake nga ato shtetërore, që zgjedhjet e ardhshme të jenë të besueshme. 

Paraprakisht së selinë  e Bashkimit Evropian në Shkup, Danielson fillimisht ka takuar kreun e BDI-se Ali Ahmeti, me çrast siç bëhet e ditur në komunikatën e lëshuar nga BDI pas takimit dy bashkëbiseduesit, kanë shkëmbyer përshtypjet e tyre rreth zhvillimeve të fundit, zbatimin e marrëveshjes së Përzhinës si dhe reformat proritare.  

“Danielson theksoi vlerësimin e Brukselit për kontributin e Ahmetit në këto kohëra të vështira me krizë të rëndë politike. Lideri i BDI-së Ahmeti theksoi që BDI u angazhua që urgjentisht të rikthehet parlamenti, të anulohen zgjedhjet, të ndryshojmë ligjin për falje si dhe të sigurojmë garanca për punën e Prokurorisë speciale. Në vijim të hapave urgjent, BDI do të angazhohet fuqishëm për zbatim të reformave që rrjedhin si obligim nga partneriteti jonë EuroAtlantik dhe puna jonë le të vlerësohet nga veprat. BDI angazhohet me bindje të plotë për agjendën reformuese në përputhje me aspiratat tona EuroAtlantike dhe pritshmërive të miqve tanë në Bruksel dhe Vashington”, thuhet në komunikatën e BDI-së.  

Danielson, u takua edhe me liderin e PDSH-së Menduh Thaçi.

“Kryetari Thaçi theksoi se shkaktarët e krizës VMRO-BDI vazhdojnë me veprimet e tyre të njëanshme dhe tëpapërgjegjshme për çështjet të cilat ishin pjesë e bisedimeve dhe për të cilat duheshe të arrihet konsensus në mes të katër partive më të mëdha politike në vend, me ndërmjetësimin e përfaqësuesve të SHBA dhe BE. Thaçi më tej vlerësoi se rrugëdalja e vetme nga kjo situatë është vazhdimi i dialogut të mirëfilltë politik me ndërmjetësim të faktorit ndërkombëtar, që kërkon një qasje të re dhe vullnet të fortë politik nga të gjitha palët”, thuhet në kumtesën e PDSH-së.

Danielson ka realizuar takim edhe me kreun e VMRO-DPME-së, Nikolla Gruevski, me çka ky i fundit ka njoftuar zyrtarin e Brukselit se prioritet i kësaj partie është kthimi i gjendjes normale të shtetit dhe situatës politike, kthimi i sigurisë tek qytetarët si dhe prosperiteti ekonomik.

Takim bilateral drejtori për zgjerim i BE-se Danielson, ka realizuar edhe me kryetarin e LSDM-së, Zoran Zaev.  

Danielson ka takuar edhe përfaqësuesit e prokurorisë Speciale me çrast ka insistuar që kjo prokurori të mos pengohet në kryerjen e punës së sajë.

NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU