Botë

Presidencialet në SHBA, fushata e Trump përfshihet sërish nga dhuna

28.05.2016 14:00

Mbështetësit dhe kundërshtuesit e kandidatit republikan në garën presidenciale të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump...

Mbështetësit dhe kundërshtuesit e kandidatit republikan në garën presidenciale të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, janë përplasur sërish në prag një takimit elektoral që miliarderi zhvilloi në San Diego të Kalifornisë.

Dy grupimet qëlluan fillimisht me gurë dhe sende të forta në drejtim të njëri-tjetrit, por falë ndërhyrjes së shpejtë të forcave të sigurisë gjithçka u neutralizua.

Efektivët shoqëruan edhe 35 persona në ambientet policore. Protestuesit ishin kryesisht me origjinë meksikane dhe kundërshtojnë premtimin e Trump për të ndërtuar një mur përgjatë gjithë kufirit jugor me Meksikën, me qëllim parandalimin e emigracionit të jashtëligjshëm.

Miliarderi kontrovers zhvilloi një takim me mbështetësit ku sulmoi edhe njëherë rivalen e tij kryesore nga kampi demokrat, Hilari Clinton.

Ai u shpreh se kjo e fundit nuk ka një pamje presidenciale dhe se mezi pret që të përballet me të.

Nga ana tjetër, kandidati demokrat Bernie Sanders, zhvilloi një takim elektoral në Kaliforni, në përpjekje për të mbajtur gjallë garën e tij.

Senatori i Vermontit, ka shumë pak shpresa për të qënë përfaqësuesi i demokratëve në garën presidenciale, e megjithatë, ka deklaraur se nuk do të dorëzohet deri në fund.Kalifornia, e cila ka në total 546 delegatë gjithsej, mund të jetë mundësia e tij përfundimtare për të kthyer rezultatin, pavarësisht se një gjë e tillë duket thuajse e pamundur.

Ish-sekretares së Shtetit, Clinton, i duhen vetëm 73 delegatë për t’u nominuar, ndërkohë që Sanders ka nevojë për plot 841 të tillë.